Vlerësimi i zgjedhjeve, vëzhguesit vendorë: Task Forca nuk funksionoi

04/10/2017 00:00

Ndryshimet kushtetuese deri në arritjen e marrëveshjes së 18 majit ndikuan në procesin zgjedhor, e rezultatet e “Task Forcës” së ngritur ishin larg pritshmërive.

Në këtë përfundim doli Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, të cilët publikuan raportin për zgjedhjet e 25 Qershorit.

“Ngritja e grupit të punës ndërministror, Task Forcë, vlerësohet si një manifestim i një shembulli tejet pozitiv në frymën e ndërveprimit institucional, jo vetëm në raport me procesin zgjedhor. Vlerësohet se, për shkak se funksionet e grupit Task Forcë ishin një klonim ligjor i detyrave funksionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kuadri kohor më shumë se i pamjaftueshëm për të qenë efektiv, mungesa e instrumentave realë ligjorë dhe mosbashkëpunimi i treguar nga Administrata Publike ndaj kësaj trupe, vendosën se ndërmarrja në fjalë, përpos shembullit të mirë, nuk arriti të ishte garante në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Gerta Meta, nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë.

Koalicioni vlerëson dhe mbështet nismën e dy partive kryesore për një reformë tërësore elektorale, e cila sipas tyre duhet të nisë menjëherë.

Top Channel