Ai ka mbërritur në Tiranë. Së bashku me trupën e tij të balerinëve, të cilët mbrëmjen e 4 tetorit do të ngjisin në skenën e Pallatit të Kongreseve dy krijime të tij.

Koreografi francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, më në fund ka zbuluar edhe krijimin e tij më të ri që e sjell si premierë botërore në skenën shqiptare.

“Pjesa e parë e programit është “Traid d’union”, balet me dy kërcimtare. Është një balet i njohur që e kam krijuar në vitin 1989, por vij gjithashtu edhe me një krijim të ri. Jam shumë i lumtur dhe i prekur do të thoja, që hera e parë që ky krijim do të shfaqet jashtë pavijonit të zi, që është vendi im i krijimit, aty ku punoj në France, dhe që është pikërisht në Shqipëri shfaqja e parë e këtij baleti. Quhet “Still Life” dhe zgjat 50 minuta. Nëpërmjet lëvizjeve dhe jetës në skenë dua të përcjell vanitetin që ne kemi. Kam dashur ta tregoj sa të vegjël jemi në këtë univers dhe sa e vogël është jeta jonë brenda kësaj jete të madhe”, tha Preljocaj.

Një vit më parë, Preljocaj solli për publikun filmin artistik “Polina” në cilësinë e regjisorit dhe koregrafit. I pyetur nëse është një film-autobiografi, përgjigjet: “Nuk është fiks jeta ime. Është jeta e shumë kërcimtarëve. Për shembull, Nurejev e ka jetën gati njësoj. Ai ka lindur në një shtëpi të vogël, me nënë dhe baba që nuk kanë pasur shumë para’, por ka shkuar shumë lart.

Top Channel