Shuhet Robert Elsie. Albanologu dhe përkthyesi i Fishtës ndërroi jetë

02/10/2017 00:00

Albanologu kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie ka ndërruar jetë në Berlin mbrëmjen e së dielës. Prej disa kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori edhe jetën në moshën 67-vjeçare.

Elsie u lind në vitin 1950 në Vankuver të Kanadasë, kreu studimet në Universitetin e Kolumbisë Britanike për filologji klasike dhe gjuhësi në vitin 1972.

Më tej vijoi studimet në Berlin e më pas në Paris, në Institutin e Dublinit në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku dhe mbrojti doktoraturën më 1978-n.

Që nga ky vit ai nisi të vizitonte Shqipërinë disa herë në kuadrin e “takimeve shkencore” midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Për 11 vite, që prej vitit 2002 deri në 2013 ai punoi për Gjykatën e Hagës.

“Një akademi që ecte”, e ka quajtur shkrimtarja Flutura Açka, e cila përmes një statusi në profilin e saj social shkruan se, “amaneti i Elsie ishte që të prehet në Shqipëri”, për të cilin ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë se është vënë në kontakt me të afërmit e tij.

“Unë kam humbur një mik shumë të shtrenjtë, por humbja më e madhe dhe më e rëndë është për kulturën shqiptare. Është nga të fundit albanologë që këtë punë e bënte jo si detyrë, por si pasion. Është tragjike humbja, sepse është njeriu që në këto 25 vite ka bërë shumë më tepër sesa institucionet shqiptare që paguheshin nga buxheti i shtetit”, ka deklaruar Kumbaro.

Robert Elsie është autor i disa librave, përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhe të huaja, mes të cilave edhe “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës. Përmes faqes së tij online, ai ka lënë një bibliotekë të pasur virtuale të katalogimit online të librave dhe burimeve të ndryshme për Shqipërine dhe shqiptarët.

Top Channel