Vepra e At Zef Pllumit, ekspozita me dorëshkrimet e tij

01/10/2017 00:00

At Zef Pllumi ka një dekadë që nuk është mes nesh, por vepra e tij madhështore do të flasë gjithmonë si një kujtesë e një gjysmë shekull.

Në katedralen e “Shën Palit” është çelur një ekspozitë me dorëshkrime të veprës së tij më të njohur “Rrno për me tregue”. Me sende të tij personale, por edhe me ato të At Gjergj Fishtës, të cilat ai I ruante me kujdes të madh. Pas Shkodrës, ekspozita e çelur nga vëllezërit françeskanë ngjalli interes të madhe.

Vizitorë në të ishin dhe kreu i PD, Lulzim Basha I shoqëruar nga ish ministri i Kulturës, Aldo Bumçi.

“Vepra e tij më e njohur “Rrno për me tregue” duhet të jetë në tekstet shkollore, për rininë shqiptare. At Zef Pllumi vepra, jeta e tij , virtytet e tij nuk e kanë vendin në Muze, por në jetën e përditshme të shqiptarëve. Në muze e ka vendin e keqja. Qoftë ky bekimi i heshtur i At Zef Pllumit, që shoqëria dhe qytetarët shqiptarë ta gjejnë forcën ta kycin të keqen në muze dhe ta zbresin të mirën në jetën e tyre të përditshme”, u shpreh kreu i PD.

Basha e quajti veprën e At Zef Pllumit kushtrim të lirisë, duke theksuar mungesën e lirisë së zgjedhjes sipas tij.

Foto të At Zef Pllumit, sende dhe dorëshkrimet ruhen në arkivin e Bibliotekës Franceskane, e cila ka botuar edhe veprën e tij, dhe vazhdon të përgatisë edhe shkrime të tjera të tij, në veçanti edhe në fushën e poezisë, të cilën ai e lëvroi shumë pak.

Top Channel