Nominuar në kategorinë e filmit më të mirë për “Luanin e Artë” në Festivalin e Filmit në Venecia, ku dhe u shfaq premierë botërore, “Mother” rrëfen historinë e një çifti që vihet në provë kur miq të paftuar mbërrijnë në shtëpinë e tyre dhe u prishin qetësinë.

Regjisori Darren Aronofsky sjell në filmin që ka nisur të shfaqet në kinematë shqiptare, një reflektim të dhunshëm psikologjik mbi prindërimin dhe egon personale të një nëne në horrorin-musical.

Javier Bardem dhe Jennifer Lawrence interpretojnë rolin e një çifti në dukje të qetë, të cilët kujdesen për riparimin e vilës së tyre antike, por përjetojë një situatë problematike kur një mik troket papritur në shtëpinë e tyre. Pas tij mbërrin bashkëshortja, fëmijët duke e komplikuar edhe më tej situatën.

Kritikët shkruajnë se “Mother” është një film që nuk mund të përjetohet qetësisht, vizioni i tij i imponon shikuesit një gjendje ankthi që në momentet e para.

“Mother” i ngjan “Rosemary Baby”, krijim i Roman Polanskit në vitin 1968, ku karakteret e personazheve zhvishen skenë pas skene, duke prezantuar fytyrën e vërtetë pa maskë që pas minutave të para të nisjes së filmit. 

“Chicago Sun Times” dhe “Washington Post” kanë vlerësuar filmin në tërësi dhe veçanërisht perfomancën e Jennifer Lawrence.

Top Channel