Zbulohet skica e Mona Lisës

29/09/2017 00:00

Një vizatim me karbon, i ruajtur në një koleksion të veçantë prej më shumë se 150 vitesh, mund të jetë skicë e Mona Lisës.

Portreti i gruas së zhveshur, i njohur si “Monna Vanna”, është lidhur deri më tani me studion e Da Vincit. Por pas testeve të kryera në Muzeun e Luvrit në Paris, kuratorët besojnë se vizatimi është të paktën “pjesërisht” krijim i të madhit Leonardo.

Që prej vitit 1862, skica është pjesë e koleksionit të artit të rilindjes në Muzeun “Conde”, të pallatit “Chantilly”.

“Vizatimi ka një cilësi vërtet mbresëlënëse, në mënyrën sesi janë pasqyruar fytyra dhe duart. Nuk është një kopje e zbehtë. Po shohim diçka, për të cilën është punuar paralelisht me Mona Lisën, nga fundi i jetës së Leonardos. Është pothuajse e sigurtë se bëhet fjalë për punë parapërgatitore të një pikture në vaj”, tha Mathieu Deldicque, kurator.

Leonardo da Vinci është një prej piktorëve më të mëdhenj të Rilindjes italiane, e Mona Lisa, e njohur ndryshe si “La Gioconda”, mbetet një prej veprave më të famshme e të vlerësuara në botë. Besohet gjerësisht se portreti ka qenë një porosi e tregtarit toskan, Francesco del Giocondo, për të shoqen Lisa Gherardini.

Eksperti i Luvrit, Bruno Mottin konfirmoi se vizatimi daton në kohën kur Leonardo ishte gjallë, fillimi i shekullit të XVI, dhe është i një cilësie shumë të lartë.

Top Channel