Librat e Kristoforidhit ekspozohen për herë të parë

29/09/2017 00:00

Një ekspozitë me libra të vjetër të paktën 130-vjeçarë është hapur në ambientet e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë.

Në ditën e Trashëgimisë Kulturore mes librash të vjetër, të cilët dëshmojnë përpjekjet e patriotëve për përhapjen dhe mësimin e Gjuhës Shqipe, janë ekspozuar për herë të parë edhe dy libra të Kostandin Kristoforidhit.

Botimet e hershme janë pjesë e fondit të bibliotekës së qytetit, ndërsa janë një dëshmi e rëndësishme e punës patriotike të kohës dhe së bashku me libra të tjerë të cilët janë botuar 130 vite më parë nga patriotët shqiptarë. Ato dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme për përhapjen e gjuhës shqipe, por edhe mësimdhënien e asaj kohe.

Në kuadrin e Ditës të Trashëgimisë Kulturore në ambientet e këtij Muzeu është çelur edhe një ekspozitë me piktura të realizuara nga nxënës të shkollave, të cilët kanë pasqyruar në punimet e tyre elementë të trashëgimisë kulturore të Korçës.
 

Top Channel