Grante për vetëpunësimin, Qeveria zvicerane dhe PNUD mbështesin të rinjtë

28/09/2017 00:00

Gerand Matraku është 19 vjeç, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, nuk e humb kohën kafeneve apo të navigojë kot në internet.

Prej 3 muajsh student i vitit të dytë të fakultetit Ekonomik në Tiranë, në degën Biznes, ofron marketing online përmes postimeve të programuara si dhe shërbime të tjera të nevojshme për një biznes që kërkon të afirmohet në kohë sa më të shpejt

Programi online që ka ideuar quhet Mr.Posted dhe i gjeneron çdo muaj të ardhura rreth 500 dollarë, jo pak për një student të padiplomuar ende.

Por si lindi ideja e vetëpunësimit?

19-vjecari tregon se shkak u bë e motra e cila punon në një platformë digitale, në sektorin e marketingut.

“Gjithcka lindi si nevojë për të ndihmuar motrën gjatë një fushate promocionale që po kryente për biznesin ku është punësuar.

Më kërkoi të postoja në rrjetin social facebook produktet që ata kërkonin të marketonin, e kështu lindi Mr.Posted, programi që të lejon të shpërndash postimet në disa rrjete sociale sipas kohës që dëshiron”, thotë Gerandi.

Zyra Zvicerane e Bashkëpunimit për Zhvillim (SDC) ka financuar zbatimin e programit 4-vjecar “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”,  i cili synon të ketë një kontribut në nivel sistemi për modernizimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri duke adresuar disa sfida kryesore: mospërputhjen e kërkesës me ofertën për aftësi, aksesin në shërbimet e punësimit dhe formimit; tregun e punës në zonat rurale; menaxhimin efektiv të fondeve për punësim dhe trajnim; mungesën e koordinimit/ bashkëpunimit në sistem; informacionin e pamjaftueshëm të tregut të punës; dhe garantimin e cilësisë së ofertës dhe programeve të AFP-së.

“Gjatë dy fazave të para të programit, mbi 1000 të rinj kanë aplikuar, 230 janë trajnuar, dhe 36 biznese të reja janë regjistruar.

Deri në fund të 2017, pritet regjistrimi i 100 bizneseve të reja”, thotë Nora Kushti, menaxhere e komunikimit ne Zyrën e PNUD.

Një prej përfituesve të programit të vetëpunësimit është dhe Gerandi, i cili pas prezantimit të platformës “Mr.Posted” fitoi grantin prej 500 mijë lekë të reja.

“Programi i vetëpunësimit financuar nga qeveria zvicerane, mbështet të rinjtë që kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar biznesin e tyre.

Nëpërmjet trajnimit mbi vetëpunësimin, këshillimeve të vazhdueshme gjatë gjithë fazave të programit, dhe mbështetjes financiare (në formën e pajisjeve dhe / ose materialeve), programi asiston në transformimin e ideve në biznese të qëndrueshme”, thotë koordinatorja e programit  për vetëpunësimin në zyrën e PNUD, Jorina Kadare.

Platforma e marketingut e krijuar nga Gerandi dallon nga idetë e tjera në treg që mund të ofrojnë të njëjtin shërbim, pasi ofron shfaqje të produkteve që doni të marketoni, në 14 rrjete sociale, si “Facebook”, “Twitter”, “Linkedln” etj.

Gerandi thotë se me fondin që përfitoi nga PNUD, përmirësoi produktin dhe punësoi dikë nga India (për shkak të kostos së ulët të punës) i cili shndërroi platformën nga program kompjuterik në program webi ose siç njihet ndryshe webapp.

Prej 3 muajsh, Gerandi ka një punë të tijën nga e cila  gjeneroi të ardhura që ditën e dytë të lancimit në rrjetet sociale të platformës së marketingut që ofron.

Gerandi tregon se nuk shpenzon asgjë për mirëmbajtjen e platformës pasi j aka mundësuar Amazone dhe Paypal përmes të cilit kryen transfertat me klientë që gjenden jashtë vendit.

Në Shqipëri, janë bizneset e vogla, ato që kryesisht kryejnë shitje online, të cilat kanë qenë më të interesuarat për platformën novatore të  Mr.Posted.

“Para një muaji lancova fushatën time të marketingut ku e bëra të njohur Mr.Posted, dhe që ditën e dytë lidha kontratat e para.

Sot numëroj 150 klientë prej të cilëve gjeneroj rreth 500 dollarë në muaj”, shprehet 19-vjecari.

Në 1 janar do të nisë fushata e marketingut për platformën Mr.Posted e cila do të fokusohet jo vetëm te “Facebook” e “Google”, por do të shfaqet dhe tek individët.

Gerandi beson se një ditë do të krijojë kompaninë e tij të marketingut.

Mr.Posted duket se është fillimi i mbarë i një rruge të gjatë drejt suksesit.

Top Channel