Bashkia e Tiranës transformon bllokun në Kombinat

24/09/2017 00:00

Problemet me ujërat e zeza dhe rrugët e amortizuara që shqetësonin banorët e një blloku banimi në kryeqytet, shpejt do të jenë vetëm një kujtim i largët.

Bashkia e Tiranës nisi transformimin e infrastrukturës në rrugët “Llambi Bonata”, “Haki Stërmilli”, “Musine Kokalari” dhe “Zyber Zeneli” në zonën e Kombinatit, duke premtuar gjithashtu lulishte dhe hapësira rekreative për të gjitha moshat.

“Në dy vitet e dyta të mandatit, fokusin më të madh do ta kemi në zonat peri-urbane, Kombinati, Astiri, Yzberishti, Yrsheku, Unaza e Re, për t’u siguruar që të njëjtin transformim që kemi patur në qendër të Tiranës, ta kemi edhe në periferi. Në të dy anët kryesore të rrugës së Kombinatit, si tek blloku “Misto Mame”, ashtu edhe tek “Llambi Bonata”, po bëjmë ndërhyrje kapilare në infrastrukturë. Fillojmë fillimisht me 3 blloqe pallatesh që janë zemra historike e Kombinatit, shumë prej tyre të bëra me punë vullnetare, ende me mbishkrimet PPSH sipër. Kjo do të thotë se nuk është venë dorë që në kohën e asaj partie dhe e atyre punëve vullnetare”, tha Veliaj.
 
Bashkia e Tiranës do të nisë mbylljen e të gjitha hyrjeve dhe daljeve të paligjshme në rrugën kryesore drejt Kombinatit, që në shumë raste janë bërë shkak për aksidente me rrezik jetën e qytetarëve: “Do të mbyllim çarjet e paligjshme në rrugë, kjo nuk është një rrugë ku çdo gjë mund të jetë gomisteri dhe lavazh sepse nuk është një rrugë industriale, kjo është një rrugë rezidenciale, kryesisht për banim. Do ju kërkojmë me mirësjellje, siç kemi bërë në rrugën Dritan Hoxha, që të gjitha bizneset që kanë çarë në mënyrë të paligjshme dhe për 27 vite kanë shijuar këto paligjshmëri, tani të na respektojnë edhe ne të tjerëve që nuk kemi shkelur asnjë ligj”.

Kryetari i bashkisë vendosi theksin te lehtësimi i qarkullimit pas hapjes së një pjese të unazës së madhe ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për lirimin e hapësirave të zëna në kundërshtim me ligjin.

Top Channel