Fiks Fare/ Kryebashkiaku i Kavajës heq nga puna pastruesit dhe pjatalarësit

19/09/2017 20:40

“Fiks Fare” solli mbrëmjen e sotme një skandal që ndodh me punonjësit në Bashkinë e Kavajës.

Ato janë pushuar nga puna në datën 24 gusht me një vërejtje, sipas të cilës, ata nuk janë gjetur në vendin e punë. “Fiks Fare”, pas përballjes që realizoi midis punonjësve dhe Njësisë Administrative, evidentoi se shkarkimi është bërë për arsye politike. 

“Kam 14 vite që punoj si pjatalarëse, asnjëherë nuk kam marrë vërejtje. Atë ditë që gjasme nuk na kanë gjetur në punë, nuk është e vërtetë që të ketë pasur kontroll. Ne kemi qenë si çdo ditë tjetër në vendin e punës”, thotë Etmonda, njëra nga punonjëset e pushuar nga puna. Po ashtu, kolegia e saj sqaron se e gjitha kjo është politike, madje kryetari i Njësisë Administrative Golem, Roland Murrizi, ia kishte pranuar vetë në zyrë. “Ju jeni socialistë dhe do ju heqim, do gjejmë lloj-lloj motivacioni”, ka thënë Roland Murrizi sipas ish-punonjëses.

Të katërta rastet që ju drejtuan emisionit “Fiks Fare” ankohen se janë pushuar nga puna vetëm me një vërejtje dhe kjo është bërë për arsye politike. Gazetarët iu drejtuan Njësisë Administrative Golem për të marrë një përgjigje nga kryetari i saj, Roland Murrizi, po ashtu edhe Shefi i Shërbimeve, Sali Pepa. Të dy punonjësit u larguan me vrap nga institucioni, pavarësisht këmbënguljes së gazetares për t’i ndaluar.

Të gjendur në këtë situatë, “Fiks Fare” iu drejtua Bashkisë së Kavajës. Kryetari Isa Sakja tha se punonjësit nuk janë gjendur në mënyrë të përsëritur në vendin e punës. “Janë ngritur grupe kontrolli nga bashkia dhe këta punonjës nuk janë gjetur në mënyrë të përsëritur në vendin e tyre të punës, nuk i kemi pushuar për arsye politike”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në një bisedë jashtë kamerës, ai pranon se është ndikuar politikisht, duke treguar se po ndjek strategjinë e Ramës dhe të Erion Veliajt. “Edhe Rama po shkrin të gjitha ministritë e LSI-së, edhe unë të njëjtën taktikë do ndjek pikë për pikë, se më pëlqen shumë ai”, thotë kryetari i Bashkisë Kavajë për kryeministrin.

Ai këmbëngul se ka më shumë se një vërejtje për punonjësit dhe këtë dokumentacion do ua vërë në dispozicion Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Drinion Dedej. Ky i fundit, pasi e mbajti grupin e xhirimit për më shumë se dy orë në institucion, pranoji më në fund se nuk ka vendime dhe masa të tjera. Dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi personat që e kanë bërë.

Top Channel