Sheshi “Skënderbej”, arena e muzikës së vërtetë

16/09/2017 00:00

Më datë 21 shtator do të nisin provat në skenën gjigande të galasë madhështore “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”.

Në skenë do të jenë rreth 70 instrumentistë, korr, back vocal, balerina, si dhe të ftuar specialë si:

Luca Monti, një ndër pianistët më të famshëm dhe më të talentuar botërorë, i vlerësuar dhe me shumë çmime ndërkombëtare;
Walter Auer, soloflautist i Filharmonisë së Vjenës;
Sebastian Bru, udhëheqës i çelistëve në Filharmoninë e Vjenës;
Mirjam Tola, soprano me famë botërore, një ndër zërat më të mirë shqiptar në arenën ndërkombëtare;
Agron Peni, kitarist virtuoz nga Kosova.

Këngë si “Valsi i Lumturisë”, “Djaloshi dhe Shiu”, këngë kalabreze, tango, valse, balada, potpuri me këngë qytetare shqiptare nga të gjitha trevat do të interpretohen nga orkestra e udhëhequr nga maestro Shkëlzen Doli.

Materialet muzikore të përzgjedhura nga vetë maestro Doli do të jenë dhe shumë emocionuese për publikun pjesëmarrës. Sheshi “Skënderbej” do të kthehet në arenën e muzikës së pavdekshme shqiptare dhe botërore.

Ky show i përmasave botërore realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe pritet të kthehet në një traditë të përvitshme.

Sheshi “Skënderbej” prej datës 21 shtator do të jetë i bllokuar, pasi do të bëhen testet teknike nga stafi gjermano-austriak dhe do të hapet në oren 18:00 të datës 23 shtator, kur do të nisë dhe hyrja e publikut pjesëmarrës në këtë eveniment gjigand.

Pothuajse 70% e biletave janë rezervuar dhe shitur, ndërsa numri i të interesuarve për të qenë pjesëmarrës në këtë eveniment është shumë i madh. Biletat vazhdojnë ende të jenë në shitje në çdo agjenci “Western Union” në çdo qytet të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Maqedoni dhe online në www.myticket.al.

Top Channel