Ohri në UNESCO, përpjekje për futjen edhe të pjesës shqiptare

15/09/2017 00:00

Sfida për përfshirjen e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në UNESCO vazhdon prej vitesh. Ndryshe nga pjesa maqedonase e cila është futur në Listën e Pasurisë Botërore që në  vitin 1979, pjesa tjetër e liqenit, e cila ndodhet në territorin shqiptar vazhdon të jetë jashtë.

Takimi i gjashtë ndërkufitar i projektit “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”, ka qenë shpresëdhënës për arritjen e këtij momenti, edhe pse duket se do të duhen ende disa vite të tjerë para se të mund të realizohet kjo gjë.

Sipas përfaqësuesve të UNESCO është ende duke u punuar për plotësimin e kritereve që duhen për nominimin nga autoritetet tona.

“Hyrja e pjesës tjetër të liqenit, një e treta e tij që ndodhet në pjesën shqiptare do të rriste dhe forconte edhe më shumë mbrojtjen dhe integritetin e kësaj pasurie, ndërsa nga Ministria e Kulturës është ende duke e hartuar planin e menaxhimit”, thotë Alexandra Fiebic, Drejtuese e Projektit të UNESCO për Liqenin e Ohrit.

Gjatë periudhës së diktaturës, Shqipëria mbeti jashtë, por prej 10 vitesh tashmë po punohet për aplikim.

“Është një proces i nisur që në vitin 2014. Erdhi një ekip për të vlerësuar mundësitë, nxorrën një rekomandim, që e shikonin të arsyeshëm nisjen e procesit. Jemi në pikën finale dhe është ngritur një grup pune, skuadër ekspertësh”, thotë Sonila Kora përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës.

Bashkimi i pjesës shqiptare në këtë listë pritet të parandalojë rrezikimin e tij nga zhvillimi urban i paplanifikuar, keqmenaxhimi i ujërave dhe i mbetjeve të ngurta, prishja e habitateve natyrore, shkatërrimi i burimeve natyrore, minierat dhe turizmi masiv.

Top Channel