McLaren, akord 3-vjeçar me Renault: Lamtumirë Honda!

13/09/2017 00:00

Sinjalet e divorcit ishin dhënë shumë kohë më parë, ndërsa tashmë bëhet gjithçka përfundimtare. McLaren tërhiqet nga marrëveshja për furnizimin me motorë nga japonezët e Hondës.

Zyrtarizimi, gjithsesi, pritet të shihet këtë fundjavë në Singapor, por faqja britanike “Autosport” shkon më tej duke dhënë detajet e asaj që konsiderohet si “ndarje e bujshme”.

Dhe buja në fakt është e pritshme, pasi binomi McLaren-Honda, nga viti 2015 e deri më sot nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Përkundrazi, mungesa e performancave të mira dhe besueshmërisë së motorëve japonezë ka bërë që skuderia britanike të zhytet në pozicionet e fundit të klasifikimit.

E pas divorcit me Hondën, McLaren duket se ka arritur edhe një marrëveshje 3-vjeçare me Renault, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Një lëvizje kjo që zhbllokon edhe shumë dyshime mbi të ardhmen e Fernando Alonsos.

Spanjolli kishte bërë të ditur se nuk ishte i interesuar të qëndronte në të njëjtën skuderi, nëse nuk do t’i ofronin një makinë konkurruese, duke shfaqur interesin e tij edhe për një kalim të mundshëm në “Indy Car”. Por, tashmë me motorët e rinj, perspektiva e kësaj ideje mund të ndryshojë dhe shumë shpejt mund të vijë edhe rinovimi mes pilotit spanjoll dhe skuderisë britanike.

Top Channel