Komisionet parlamentare, PS mbledh të enjten kryesinë

13/09/2017 00:00

PS do të mbledhë të enjten kryesinë dhe grupin parlamentar për të votuar dhe zyrtarizuar emrat që do të drejtojnë jetën parlamentare për 4 vitet e ardhshme dhe 5 komisionet e mazhorancës.

Pritet që kryeministri Rama të takohet sot me kreun e kuvendit Gramoz Ruçi dhe kreun e grupit Taulant Balla për të diskutuar propozimet për nënkryetarin e ri të Kuvendit dhe krerët e komisioneve parlamentare.

Ndërkohë, në Kryesinë e Kuvendit, kryetari Ruçi ka nisur konferencën e kryetarëve për të bërë ndarjen e komisioneve, nga të cilat 5 do t’i drejtojë mazhoranca dhe 3 opozita.

Dy partitë në opozitë i kanë gati propozimet e tyre. Petrit Vasili është emri i propozuar nga LSI për të drejtuar Komisionin e Shëndetësisë, ndërsa mësohet se kryetarja Kryemadhi do të jetë anëtare e Komisionit për Politikën e Jashtme.

PD i ka bërë publike propozimet e saj, Bardh Spahia tek shëndetësia, Albana Vokshi tek media dhe Genc Pollo për komisionin e integrimit. PD ka gati edhe përbërjen e komisioneve dhe nënkryetarëve të tyre.

Fill pas dorëzimit të propozimeve nga të treja partitë kryesore, kryetari Ruçi pritet të thërrasë edhe seancën e radhës në Parlament.

Top Channel