Europa League, Khatskevich: Nuk e nënvlerësojmë Skënderbeun

13/09/2017 00:00

Trajneri i Dinamos së Kievit Oleksandr Khatskevich dhe mbrojtësi kroat i skuadrës urkainase Domagoj Vida janë të bindur tek suksesi ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë kualifikuese të Grupit B në Europa Leagues.

Në konferencën për shtyp para kësaj sfide, tekniku 43-vjeçar e krahasoi ekipin korçar me skuadrat Aleksandria dhe Vorskla Polltava në Premier League e Ukrainës.

“Të gjithë futbollistët e mi e dinë që duhet të fitojmë për ta kaluar grupin. E kemi përgatitur si gjithë ndeshjet e tjera. E kemi studiuar Skënderbeun në dy përballjet që ka zhvilluar me Dinamon e Zagrebit, por edhe në ndeshjen hapëse të javës së parë të kampionatit shqiptar. Nuk është e rëndësishme  nëse ky është takimi im i parë në fazën e grupeve të Europa Leagues, por rezultati në favorin tonë”, u shpreh Khatskevich.

Përtej diferencave në cilësi, sidomos në aspektin individual, Khatskevich kërkon nga futbollistët e tij që ta respektojnë Skënderbeun, ndërkohë që kërkoi mbështetjen e tifozëve, pavarësisht që përballë formacionit që drejton nuk është Reali i Madridit, Manchester United apo Milani.

“Duhet ta respektojmë Skënderbeun, sepse të gjitha skuadrat e nisin ndeshjen si të barabarta. Pa dyshim që individualisht ne jemi më lart, gjithsesi cilësitë tona duhet t’i tregojmë në fushë. Uroj që edhe tifozët tanë  të na mbështesin, kur energjia e tyre transferohet te skuadra, lojtarët do ta kenë më të thjeshtë për ta fituar takimin. Ftoj çdo tifoz që është në dyshim, të vijë në stadium sepse s’do të zhgënjehet”, tha Khatskevich.

Mbrojtësi 28-vjecar, Domagoj Vida, theksoi se skuadra e tij nuk mund të ketë pikë referimi miqësoren e para dy viteve, pasi Skënderbeu ka ndryshuar shumë dhe jo më kot është në fazën e grupeve të Europa Leagues.

“Para dy vitesh kemi zhvilluar një miqësore me Skënderbeun, por kjo do të jetë një ndeshje krejt tjetër. Skënderbeu nuk është kualifikuar rastësisht  në fazën e grupeve të Europa Leagues. Do të jetë një përballje e vështirë, por unë jam i bindur se ne do të fitojmë. Dynamo ndjeshëm favorite? Të gjithë skuadrat që zbresin në fushë kanë shanset e tyre, kjo është e bukura e futbollit. Ne jemi skuadër më e fortë, por këtë duhet ta tregojmë në fushë”, u shpreh Vida.

Top Channel