Eurobasket 2017, Spanja e Sllovenia shkojnë në gjysmëfinale

13/09/2017 00:00

Spanja dhe Sllovenia ruajnë pathyeshmërinë e tyre dhe kualifikohen për në gjysmëfinalet e kampionatit europian të basketbollit për meshkuj.

Skuadra kampione në fuqi e kontinentit të vjetër eliminoi në çerekfinale Gjermaninë 84-72, duke e ndërprerë rrugëtimin pozitiv të kësaj të fundit.

Për të besuarit e Sergio Scariolos nuk ishte aspak një ndeshje e lehtë, pasi Gjermania për pjesën më të madhe të kohës i bëri të djersinin shumë. Spanjollët e bënë diferencën në parket pas barazimit 50-50, kur Marc Gasol shpërtheu duke shënuar pikë të njëpasnjëshme, duke i dhënë mundësinë Spanjës të shkëputet në 62-50, ndërkohë që ai vet e mbylli ndeshjen me 28 pikë, 10 topa në tabelë dhe 4 asiste.

Pas atij momenti, për Spanjën nuk pati më kthim prapa, ndërkohë që Gjermania u dorëzua pa kushte për t’u kthyer në shtëpi.

Kundërshtarja e Spanjës do të jetë pikërisht Sllovenia, që mposhti Letoninë 103-97. Në minutat e para të kësaj sfide u pa një ekuilibër në parket, por me kalimin e minutave, sllovenët u dukën me një marsh më shumë, duke e çuar në +15 diferencën e pikëve.

Por Letonia tregoi se nuk kishte ardhur rastësisht në këtë fazë të kompeticionit. Balltikët u kundërpërgjigjën me Porzingis dhe e shkurtuan diferencën, madje morën edhe kryesimin në 50-49, ndërsa e mbyllën pjesën e parë me avantazhin 55-51.

Pas pushimit të ndeshjes ishte Sllovenia që u pa e papërmbajtshme në parket, duke e përmbysur rezultatin në 62-55, falë rezultatit të pjesshëm 11-0, ndërsa perioda e tretë u mbyll me avantazhin e Sllovenisë 79-66. Më pas u duk si një ndeshje e arkivuar, por Letonia kishte ende për të thënë.

Porzingis shënoi 9 pikë radhazi dhe sfida u rihap pasi rezultati shkoi në 81-79, kur kishin mbetur 6 minuta nga fundi. Gjithsesi, Sllovenia arriti të krijojë sërish një diferencë prej 8 pikësh, që mundi ta administrojë deri në fundin e sfidës, edhe pse me vështirësi.

Top Channel