Engel-Cummings, hetime ndaj Flynn. Promovoi projektin e Lindjes së Mesme

13/09/2017 00:00

Ligjvënës demokratë amerikanë po hetojnë nëse gjenerali në pension, Michael Flynn, ka promovuar fshehurazi një projekt amerikano-rus për ndërtimin e dhjetëra reaktorëve bërthamorë në Lindjen e Mesme, pasi u emërua në postin e këshilltarit të parë të sigurisë të presidentit Donald Trump.

Elijah Cummings dhe Eliot Engel, dy pjesëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, e zbuluan këtë zhvillim të fundit përmes një letre që ata i kanë dërguar të martën avokatit të Flynn, si dhe përfaqësuesve të lartë të firmave që zhvilluan skemën e reaktorit, e për të cilat ka punuar edhe kompania, tashmë inekzistente, e konsulencës së Flynn.

“Populli amerikan meriton të dijë nëse gjenerali Flynn ka nxitur fshehurazi interesat private të këtyre bizneseve, teksa shërbente si këshilltar fushate, zyrtar në periudhën e tranzicionit, apo këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit Trump”, thonë dy ligjvënësit amerikanë në letrën e bërë publike sot.

Ata i kërkojnë avokatit të Flynn, si dhe ekzekutivëve të kompanive të përfshira në projekt, të dorëzojnë “të gjitha komunikimet” që kanë pasur me Flynn apo me zyrtarë të tjerë të administratës gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, gjatë tranzicionit postzgjedhor, apo gjatë qëndrimit të Flynn si këshilltar për sigurinë kombëtare.

Aktualisht, avokati i Flynn, Robert Kelner ka refuzuar të komentojë mbi këtë zhvillim.

Projekti propozon ndërtimin e 40 reaktorëve bërthamorë në Lindjen e Mesme, që do të kontribuonte në rrjetin elektrik të rajonit. Reaktorët do të ishin me funksion riprodhimi, gjë që nënkupton se nuk mund të përdoreshin për të prodhuar karburant për armë bërthamore.

Cummings, kryedemokrati i Komitetit për Mbikëqyrjen e Reformave të Qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve; si dhe Engel, demokrati udhëheqës i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në të njëjtën dhomë të Kongresit amerikan, kanë kërkuar që të gjitha dokumentet të dorëzohen deri më 4 tetor.

Top Channel