Në panairin ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri grek Alexis Tsipras deklaroi para përfaqësuesve të politikës dhe të ekonomisë se kriza financiare do të marrë fund vitin e ardhshëm.

“Kriza në Greqi do të marrë fund përfundimisht në gusht 2018. Pra, kur skadon programi ndërkombëtar i kredive për Greqinë. Ne do të ecim së shpejti me këmbët tona”, deklaroi Tsipras.

Ai tha se specialistët e fushave të ndryshme dhe të rinjtë e arsimuar do të kthehen sërish në Greqi, ndërsa fillestarët në profesion do të mbështeten nga taksapaguesit.

“Qëllimi është të krijohen kushte në të cilat mund të lulëzojnë firmat start-up, turizmi, bujqësia dhe sektori digjital”, tha Tsipras.

Ai foli për programe financimi në miliarda që do të përdoren në mënyrë specifike, sidomos për mikrokredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si subjektet që kanë vuajtur më shumë nga kriza.

Dhe në fakt, shkruan “Deutsche Welle”, shifrat e fundit japin shkas për shpresë. Në vitin 2016, Greqia pati një tepricë ekonomike prej 3.5%, duke i kaluar kështu kërkesat e kreditorëve, si dhe një rënie me rreth 6% të nivelit të papunësisë, që tani është 21,7%.

Top Channel