Tahiri: Nuk kuptoj si Basha dhe Mediu janë në Parlament

12/09/2017 22:00

Saimir Tahiri deklaroi nga foltorja e Parlamentit se “është turp për drejtësinë dhe Parlamentin që Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu janë në Parlament”.

“Njerëzit e shohin politikën me përçmim. Drejtësia ka qenë aleati jonë më i madh për neverinë që kanë shqiptarët për politikën. Drejtësia ka falur disa, disa të tjerë nuk i ka gjykuar dhe ka amnistuar të tjerë, e të gjithë bashkë sot fshihen në këtë bunkerin e madh të Parlamentit, duke mos na kursyer dënglat dhe moralin nga kjo foltore. Politika ricikloka ata që ndoshta me kohë duhet të ishin përpara drejtësisë. I kemi të riveshur me detyra të tjera. Nuk arrij të kuptoj se si Fatmir Mediu është në Parlament dhe nuk është gjykuar ende për Gërdecin; nuk arrij të kuptoj se si Lulzim Basha është në Parlament dhe i ka bërë bisht drejtësisë për Rrugën e Kombit dhe për Ziverin, Aleksin, Faikun dhe Hekuranin. Ky është turp për drejtësinë dhe Parlamentin”, tha Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm shtoi: “Kemi bërë të gjithë fushatë, kemi shkuar derë më derë dhe kemi dëgjuar çfarë mendojnë njerëzit për ne. Të rinjtë po na injorojnë. Kolektivisht dhe padrejtësisht në fakt. Përse na shohin njëlloj shqiptarët? Pse na shohin si të këqinj, të korruptuar dhe të pasuruar prej politikës? E kam një përgjigje. Ne, çdo ditë i kemi hedhur baltë aq shumë njëri-tjetrit, sa tani është e vështirë për njerëzit të kuptojnë se në Parlament ka burra e gra të mirë, me ideal dhe luftojnë për Shqipërinë e fëmijëve tanë”.

Top Channel