Skënderbeu, të enjten në “betejën” e Kievit

12/09/2017 00:00

Pasi ka filluar me sukses sezonin e 79 të Superiores, me fitoren 2-0 ndaj Flamurtarit, Skënderbeu bëhet gati të niset ditën e mërkurë drejt Kievit, për të zhvilluar ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Europa League, me Dinamon.

Në një intervistë për Top Channel, trajneri i korçarëve Ilir Daja tregon se, vëmendja e Skënderbeut mbetet aty ku mundësitë për sukses janë më të mëdha, te kampionati.

“Ne si objektiv parësor kemi fitimin e titullit kampion dhe këtu do të jetë fokusi i të gjitha energjive tona psikofizike. Por, paralelisht kemi edhe një paraqitje sa më të mirë në Europa League. Duhet të vazhdojmë cilësinë e mirë të lojës dhe të përballemi mirë në grupet e këtij kompeticioni. Teorikisht janë ekipet kundërshtare të favorizuara, praktikisht futbolli i pranon të gjitha”, deklaron trajneri i korçarëve.

Fakti i përqëndrimit te kampionati nuk e bën Skënderbeun që të shkojë për shëtitje në ndeshjet e Europës.

“Ne tashmë kemi një rrugëtim drejt grupeve të Europa League, kemi luajtur në ndeshjet kualifikuese dhe ato ‘play off’, që do të thotë se nuk jemi rastësisht këtu. Do të provojmë mundësitë tona, duke pasur ndoshta edhe fatin me vete”, deklaron më tej Daja.

Ruajtja e boshtit të skuadrës dhe merkatoja, më tepër cilësore sesa sasiore, u jep mundësi korçarëve të jenë një hap përpara kundërshtarëve të tyre në Superiore, të cilët kanë bërë shumë ndryshime në përbërje.

“Pothuajse të gjitha ekipet kanë pasur një lëvizje me përqindje të madhe, por ndryshimet e mëdha në ekip duan edhe kohën e tyre. Qoftë për t’u përshtatur lojtarët njëri me tjetrin, qoftë për të përcaktuar pastaj se cilët janë pretendentë për titull e kush do të luftojë për mbijetesë”, shprehet Ilir Daja.

Top Channel