Allegri: Patëm fat me Messin, të paktën goditi një shtyllë

12/09/2017 00:00

Duket se humbja e thellë e Juventusit, 3-0 ndaj Barcelonës, nuk ia ka prishur shumë humorin Massimiliano Allegrit, i cili nuk ngurron të bëjë edhe batuta për formën e mirë të Lionel Messit.

“Me Messin na eci mirë sot, se të paktën njëra nga goditjet përfundoi në shtyllë”, tha me humor tekniku bardhezi.

Allegri theksoi se në pjesën e parë pa gjëra pozitive të ekipi i tij, ndryshe nga pjesa e dytë, ku u gabua shumë teknikisht dhe me pozicionimin në fushë.

“Në pjesën e parë patëm mundësi të kalonim në avantazh. Për 40 minuta e patëm lojën nën kontroll dhe arritëm të ishim më të rrezikshëm se katalanasit. Pastaj erdhi Messi, të cilit po i le pak hapësirë, i zgjidh i vetëm këto ndeshje. Edhe sot, nëse nuk gaboj, goditi tre herë, një herë në shtyllë dhe dy herë në rrjetë”, u shpreh Allegri.

Tekniku i bardhezinjve nuk dëshiron të përdorë mungesat si një alibi për humbjen, ndërsa premton se ekipi do të dijë të lërë pas këtë humbje.

“Në të tilla nivele, mungesat nuk janë një alibi dhe këtë e treguam me lojën që zhvilluam deri në minutën e 40. Higuain duhet t’i luajë më i qetë këto lloj ndeshjesh dhe të mos qëndrojë me kokën ulur. Gjithsesi, në fundjavë kemi kampionatin dhe pastaj Olympiakosin, ndaj duhet të punojmë për të grumbulluar pikë”, u shpreh Allegri.

Top Channel