Tango argjentinase vjen në Tiranë. Si një mënyrë jo vetëm për të promovuar marrëdhëniet ndërmjet kulturave të ndryshme, por edhe për të rizgjuar një kërcim që ka qenë shumë i përhapur për vendin tonë deri në vitet ‘70.

Kërcim, muzikë, poezi kulturë dhe histori do të jenë kryefjala e Tango Art, të organizuar nga Federata Shqiptare e Tangos Argjentinase.

“Jam shumë i lumtur të jem këtu në Tiranë, në Shqipëri, për të prezantuar Festivalin e Dytë Ndërkombëtar të Tangos argjentinase. I ftuar special do të jetë maestro ynë i madh i tangos Roberto Herrera i shoqëruar nga balerinë të tjerë të rëndësishëm. 29, 30 shtator dhe 1 tetor do të jenë tre ditët e festivalit”, shprehet Ricardo Astrada, balerin.

I njohur si kërcimi i dashurisë Maestro Astrada na rrëfen elementin kryesor të Tangos.

“Kur ne e përqafojmë damën dhe ajo na përqafon ne kuptohet dhe ndihet atmosfera dhe nxehtësia e tangos”, balerini.

Rikthimi i tangos argjentinase kërkon t’i mëshojë origjinalitetin të saj, por edhe të ftojë në Tiranë turistë që e duan këtë kulturë.

“Do kemi folk argjentinas. Kemi tre DJ të ndryshëm dhe dy çifte një ngas Italia, një nga Argjentina, kemi bërë një përzierje kulturash”, shprehet Sara Shahu, balerinë.

“Jemi shumë të lumtur që sjellim muzikën tonë argjentinase dhe tangon tonë argjentinase dhe folklorin tonë për të gjithë ju”, thotë Javier Astrada, muzikant.

DJ nga Turqia, Greqia dhe Italia, përgjatë festivalit, do të shërbejnë edhe si urë lidhëse ndërmjet këtyre vendeve dhe Shqipërisë për të sjellë më pranë tangos kryesisht të rinjtë.

Top Channel