Rama prezanton programin: Ekonomia, turizmi, integrimi

11/09/2017 00:00

Sinteza e programit të ri të qeverisë u paraqit nga kryeministri Rama këtë të hënë në Kuvend. Në katër vitet e mandatit të dytë, kreu i qeverisë foli për bashkëpunimin e opozitës për çështjet kombetare dhe integrimin e vendit.

“Jemi bërë gazi i botës. Ju shpreh në emër të PS gadishmërinë tonë për një nismë, një tryezë të hapur për çështjet e mëdha. Shqipëria e bashkuar me Europën, është pjesë e saj. Ta zotërojmë axhendën europiane. Të qëndrojmë krah për krah në emër të kombit edhe kur flitet për integrimin”, deklaroi Rama.

Rama i njohu opozitës një meritë, për dekriminalzimin dhe kanabisin. “Dekriminalizimi dhe kanabisi. S’do kishim këto rezultate nëse s’do ishte për luftën e opozitës. Nëse sot jemi në ofensivë totale dhe kemi arritur rezultate konkrete kundër kanabisit, opozita pati edhe rolin e saj. Kështu s’do ishte ngritur diga e lartë e pastërtisë së figures”, tha Rama.

Dhe në fillim të mandatit të dytë qeverisës, Edi Rama i kërkoi opozitës të vijojnë punën për reformën zgjedhore. “Të jetësojmë të drejtën e votës së emigrantëve në vendin e tyre, që edhe ata të kenë të drejtë të zgjedhin qeverinë. Se për këtë flasim vetëm në fund të mandatit. Të mos humbasim kohë, por ta bëjmë realitet për zgjedhjet e vitit 2021”, nënvizoi Rama.

Dhe në kohën kur 2018-a është cilësuar si viti kyç për të ardhmen e Shqipërisë në BE, një pjesë e rëndësishme e programit qeverisës i dedikohet integrimit dhe politikës së jashtme.

“Shqipëria europiane është amaneti i rilindasve tanë. Shqipëria pret dhe meriton çeljen e negociatave vitin e ardhshëm. Pengesat dhe zvarritjet vijnë nga çfarëdolloj sebepi dhe jo prej fajit tonë. Gjithësesi, s’ka hatërmbetje”, tha Rama.

Për rajonin, Rama i ka të qarta prioritetet. “Do punojmë për konkretizimin e nismave për bashkëpunim rajonal. Do konkretizojmë nismat me Kosovën, urojmë që nga 1 janari 2021 të biem dakord për kthimin mes dy shteteve tona fqinje të një kufiri europian. Uroj bashkimin doganor, që të kemi një doganë të unifikuar. Projekti është gati”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për marrëdhëniet “zero probleme me fqinjët” dhe pati një mesazh për Greqinë, vend me të cilin ka ende probleme të pazgjidhura.

“Duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjelltë dhe bashkëpunim strategjik. Por Shqipëria, pavarësisht halleve e nevojave të saj, nuk do të mbyllë asnjëherë as sytë e as gojën në mbrojtje të të vërtetave e të drejtave të veta”, theksoi Rama.

Reforma në drejtësi dhe vettingu mbeten për qeverinë shtyllat kryesore në këtë mandat të ri. “Të vazhdojmë reformën në drejtësi përmes vettingut. Fokusimi i publikut tek peshqit e mëdhenj është i kuptueshëm. Por sistemi i drejtësisë në tërësi shkatërron të drejtat e qytetarëve tanë. Drejtësia që duam është që pas 4 vitesh të mos duket më si utopi”, tha Rama.

Kapitulli i ekonomisë ishte më i gjati, por edhe më i rëndësishmi i programit qeverisës, duke nisur nga projektet e infrastrukturës e duke vijuar me luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit.

“Do ulim borxhin publik, do rrisim ekonominë me 5% brenda vitit të tretë të qeverisjes, do hapim 220 mijë vende të reja pune. Do angazhohemi edhe në bashkëpunim me pushtetin vendor që ta mbyllim një herë e mirë kapitullin e titujve të pronësisë me tokat bujqësore dhe do t’i japim fund procesit të legalizimit. Turizmi është një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike dhe punësimit në 4 vitet e ardhshme. Mos ikni jashtë, vitin tjetër mos prenotoni jashtë”, shtoi Rama.

Top Channel