“Eurobasket”, pretendentët kalojnë në çerekfinale

11/09/2017 00:00

Në ditën e dytë të fazës së 1/8-ave të finaleve të kampionatit europian të basketbollit për meshkuj nuk pati surpriza, pasi skuadrat pretendente i kaluan pa shumë probleme kundërshtarët e tyre.

Spanja tregoi forcën e saj edhe në përballjen ndaj Turqisë, ndaj së cilës fituan 73-56. Spanja ishte gjatë të gjithë kohës në avantazh, por pa mundur të krijojë diferencat e mëdha të krijuara në ndeshjet e mëparshme, kjo edhe për meritë të mbrojtjes turke.

Por, në 5 minutat e fundit u bë edhe diferenca, me Spanjën që arriti t’i shpëtojë kurthit të mbrojtjes turke, falë dyshes Rubio-Rodriguez, për të shënuar pikë të njëpasnjëshmë, që e çuan diferencën në rezultat në plot 17 pikë. Në çerekfinale, Spanjën e pret Gjermania, që më parë eliminoi Francën.

Serbia eliminoi Hungarinë 86-78, për të qenë kundërshtarja e Italisë në çerekfinale. Kjo sfidë nuk ishte aspak një shëtitje për skuadrën serbe, edhe pse ajo u mbyll me 8 pikë diferencë. Gjatë sfidës, Hungaria diti t’i përgjigjet lojës së skuadrës së Djordjeviç, por kjo e fundit arriti të ruajë avantazhin e saj deri në fund të takimit.

Letonia shkatërron Malin e Zi 100-68 dhe fikson takimin me Slloveninë në çerekfinalet e Eurobasketit. Skuadra baltike i qëndroi besnike lojës së saj, duke e shpartalluar Malin e Zi që në pjesën e parë, të cilën e mbylli 53-37. Më pas gjithçka ishte e lehtë për Letoninë, jo vetëm për të administruar rezultatin, por edhe për ta thelluar atë, duke e çuar në +32 pikë diferencën me ballkanasit.

Rusia ishte skuadra e fundit që preu biletën për në çerekfinalet e Eurobasketit, duke mundur me lehtësi Kroacinë 101-78. Rusia ishte gjatë të gjithë kohës në avantazh, por pjesën e parë e mbylli 46-42. Pas pushimit të ndeshjes, Rusia kërkoi të marrë arratinë, por këtë filloi ta bëjë 5 minuta nga fundi i periodës së tretë, duke krijuar avantazhin prej 16 pikësh, avantazh të cilin e administroi me mjeshtëri në periodën e fundit të takimit. Kundërshtarja e Rusisë në çerekfinale do të jetë Greqia.

Top Channel