Çani: Ekuban? Tani radha ime

11/09/2017 00:00

Humbja në ndeshjen e parë të kampionatit për Partizanin me Laçin ka qenë si një rrufe në qiell të hapur, nisur nga pritshmëritë që kanë të gjithë për skuadrën e kuqe këtë sezon.

Ajo që ra në sy në këtë ndeshje ishte mungesa e një sulmuesi kryesor. E megjithate edhe ky problem për Partizanin do të zgjidhet shpejt, Edgar Çani, sulmuesi dhe lojtari më i bujshëm i merkatos verore është pranë debutimit, ndoshta të mërkurën ndaj Naftëtarit në kupë, ose në fundjavë ndaj Kukësit.

“Jam në fazën e fundit të rekuperimit dhe mund të them se jam gati. Do të flas me stafin dhe trajnerin se kur do të aktivizohem, por ndihem shumë më mirë”, thotë Çani.

Edhe pse ende pa e provuar, Çani shprehet i gatshëm për t’u përballur me një nivel të lartë vështirësie në Superligë, sidomos për sulmuesit.

“Ky është një kampionat shumë i vështirë, megjithatë mund të themi se kemi një skuadër të mirë dhe do t’ja dalim. Vendosemi mirë në fushë, por na duhet të korrigjojmë disa gabime”, shton sulmuesi i Partizanit.
Vitin e shkuar benjamini i tifozerisë së kuqe ishte Kaleb Ekuban, një emër që Çani e sheh të vështirë ta bëj të harrohet.

“Ekuban do të mbetet gjithmonë në mëndjen e tifozëve dhe nuk do të harrohet, por unë do të përpiqem të bëjë më të mirën e mundshme”, vijon ai.

Dhe kur e pyet se sa gola mund të shënojë Edgar Çani në Superligën e këtij viti…

“Shumë, sa më shumë! Shpresoj një numër me dy shifra”, deklaron ai. 

Top Channel