Përcillet për në banesën e fundit aktorja Hajrie Rondo, e ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 66-vjeçare.

Përmes një ceremonie të thjeshtë që organizoi familja e saj në Himarë fshat, atje ku jetonte kohët e fundit,  miq, të afërm dhe kolegë përcollën për në banesën e fundit zonjën e madhe të artit shqiptar Hajrie Rondo.

E gjitha trupa e teatrit Bylis të Fierit ishte prezent për t’i dhënë lamtumirën aktores brilante të shumë karaktereve, Hajrie Rondo, që do të jetë një shembull frymëzimi për brezat e rinj të aktorëve në Shqipëri.

Shumë prej aktorëve me të cilët Hajrie Rondo ka ndarë skenën, apo rolet e saj në filmat artistikë treguan momente nga jeta e saj ndër vite.
“Unë Hajrien do ta mbaj mend nga vitet ’73, Hajria do të mbetet për mua një nga personazhet, që çdo nënë do të shikojë nga aktoret e reja, do të më kujtohet ajo”, shprehet Arqile Lipe.

“Hajrie ishte një talent i rrallë. U përshtat shumë shpejt me atmosferën që ishte në atë kohë. Mbi të gjitha unë dua të them që jo vetëm arti fierak, por arti shqiptar në përgjithësi humbi një figurë që për llojin e saj është e papërsëritshme”, u shpreh Luftar Paja.

Pa zhurmë e bujë, Hajrie Rondo u përcoll për në banesën e fundit, ndërsa i vetmi kujtim nga institucionet e shtetit ishte një kurorë e kryeministrit Rama me mbishkrimin “I paharruar kujtimi i saj’.

Top Channel