Të shfaqësh dramën në sytë e tyre përmes objektivit të aparatit fotografik. Ata janë 20 fëmijë të aftë ndryshe, që kanë tërhequr vëmendjen e fotografit Bevis Fusha, të sjellë dramacitetin e jetës së tyre përmes raportimit vizual.

“Është hera e parë në fakt që punët e mia në reportazhe ekspozohen. Për këtë nuk isha i vetëm. Pata edhe ndihmën e organizatës që mundësoi ekspozitën. Mendoj që është një portë e mirë për të krijuar një komunikim, një urë mes personave në të. Është një jetë, e cila kërkon edhe aspektin e ndihmës nga të gjithë ne”, shprehet fotografi Bevis Fusha.

Një çast mund të jetë magjik në prekjen e ndjeshmërisë së shoqërisë që në ditët e sotme luhatet mes një sensitiviteti që vjen e shkon.

“Koha është një element shumë magjik. Mund të jetë 1/100 e sekondës në fund të 3 ditëve pune dhe është një imazh që funksionon ose mund të jetë imazhi i parë fare, por mbi te gjitha është raporti që t’i krijon me subjektin. Është shumë e rëndësishme që të shkëpusësh shpejt dhe të nxjerrësh në kohë sa më të shpejtë të gjithë ekstraktin e punës tënde”, thotë fotografi.

Ekspozita “Tungjatjeta”, çelur në Pazarin e Ri në Tiranë, do të shëtisë në Librazhd, Korçë e Lezhë.

Top Channel