Piktori surrealist i Perusë

08/09/2017 00:00

Peruja e kremtoi 80-vjetorin e piktorit të saj të famshëm surrealist, Gerardo Chavez, me një ekspozitë që mbledh së bashku qindra punë të tij.

“Chavez 80” është një retrospektivë, e cila shënon evolucionin e karrierës së shkëlqyer të artistit, të nisur në vendlindje me një shije të spikatur kubiste. Megjithatë, shpërngulja në Europë në vitin 1960 ishte ajo që do t’i mbushte pikturat e Chavezit me elemente surrealiste, siç shihet qartazi në vepra si “El Ultimo Idolo” (Idhulli i fundit) dhe “Los Emigrantes” (Emigrantët), një vështrim mbi të shkuarën dhe të ardhmen e njerëzimit.

Përgjatë viteve që lanë shenjën e tij në artin botëror, Chavez u vlerësua mjaft nga kritikët ndërkombëtarë. Në Itali, piktori peruan ishte tejet i preferuar. Ekspozita e tij e parë u mbajt në Firence, ku ishte i ftuar special i galerisë sikstine dhe në vitin 1961 iu akordua në Viareggio, çmimi “piktori më i mirë i huaj”.

Kur u kthye në Peru, qyteti i vet i lindjes e priti me një surprizë: medaljen e artë për punën dhe suksesin mbresëlënës në kontinentin e vjetër. Përveç 200 veprave unike, “Chavez 80” ekspozon edhe skica me laps e skulptura të artistit të madh. Ekspozita do të qëndrojë hapur në Muzeun Kombëtar të Limës deri në mesin e muajit nëntor.

Top Channel