Me laps nuk mundesh veç të shkruash. Mund të bësh edhe mrekulli të vogla dhe jo një, por 30 të tilla, si kuadrot e piktorit Ramazan Memishi.

Këto vepra të realizuara në rapid e stilograf ai i sjell në një ekspozitë në galerinë Kalo të titulluar “Mrekullitë e një lapsi”. Në krijimtarinë e tij ka lënë gjurmë të dukshme fëmijëria e jetuar në një fshat të Kukësit.

“Vizatojmë ose pikturojmë e nuk dimë shpesh nga na vjen motivi e duhet një farë kohe për ta kuptuar. Unë besoj që shpesh kur ishim fëmijë nëna lëshonte një pëlhurë në tokë e hapte grurin për tut hare pastaj e mblidhte dhe e hidhte për ta pastruar. Këtu vezullonin kokrrat edhe siç duket unë kam vendosur që të kap këtë vezullimin”, shprehet Memishi.

Piktura e tij është në kufijtë e minimalistes, realizuar me mjete të thjeshta, të cilat e shprehin mirë botën shpirtërore të artistit.

“Piktura është bërë me elementë shumë të thjeshta. Gërvishtja është një element shprehës që në njëfarë mënyre manifeston botën shpirtërore të artistit. Gërvishtja është ndonjëherë revoltë, ndonjëherë është dëshirë, ndonjëherë pamundësi, ndonjëherë është dëshira për të thënë më shumë çfarë do, është një mjet shumë interesant shprehës”, shton piktori.

30 kuadrot do të prezantohen për publikun deri në datën 8 tetor.

Top Channel