“Metrofest”, festivali i dramës në Teatrin e Metropolit

04/09/2017 00:00

Mungesa e dramës shqipe nuk diskutohet më, por mungesa e herëpashershme e saj në skenë analizohet për shkak të stilit të saj letrar më shumë sesa skenik.

Teatri i Metropolit ka ndërmarë sfidën që të bëjë bashkë dramën shqipe të pashfaqur ndonjëherë, e regjisorët kryesisht të rinj për ta vënë në skenë atë.

Festivali i përvitshëm “Metrofest” do t’i kushtohet këtë vit tërësisht dramës shqipe.

“Viti i parë është zgjedhur me temë dramën shqipe, për t’u dhënë mundësinë dramave që janë të panjohura për spektatorin, por edhe për krijuesin, drama që janë nxjerrë nga arkivat”, tha Sonila Kapidani, drejtoreshë e festivalit.

Ndërkohë që në teatër po punohet me provat për shfaqjet përkatëse, nga përzgjedhja e veprave bie në sy sidomos “Loja e pasdrekës” nga Martin Camaj.

“Veprat e reja që janë duke u punuar aktualisht dhe që do të vijnë në skenë ditët e festivalit janë ‘I biri i Begut’ nga Milo Duçi, ‘Armiqtë’ nga Shpëtim Gina e bërë rreth vitit 1972, si dhe ‘Loja e pasdrekës’ e autorit Martin Camaj”, tha më tej Sonila Kapidani.

Nga data 1 deri më 5 nëntor, teatri do t’i kushtohet tërësisht dramës shqipe, e pas shfaqjeve do të ketë edhe një panel dikskutimi për këtë, i cili edhe më herët nuk ka munguar si nismë, por pjesëmarrësit nuk kanë qenë të shumtë.

Një pjesë e regjisorëve të përzgjedhur nga “Metrofest” janë ende duke kryer masterin pranë Universitetit të Arteve.

“Regjisorët janë Xhuliano Brisku, duke vënë ‘Armiqtë’ nga Shpëtim Gina; Joana Omeraj duke vënë në skenë ‘I biri i Begut” i Milo Duçit; si dhe Shkëlzen Berisha me ‘Lojën e pasdrekës’ të Martin Camajt”, u shpreh drejtoresha e festivalit.

Top Channel