“Albanian Soul”, Shkëlzen Doli intervistë ekskluzive për TCH

01/09/2017 00:00

Violinisti Shqiptar me famë botërore Shkëlzen Doli në një intervistë ekskluzive rrëfen në lidhje me projektin e tij artistik që do të zhvillohet në datë 23 shtator në Tiranë.

Një eveniment gjigand që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Me teknologji bashkëkohore, të kuruar në çdo detaj, maestro Doli do të sjellë për publikun mbarë shqiptar një gala madhështore dedikuar muzikës Shqiptare. Ky evenimetit pritet të transmetohet edhe në disa media të huaja në vitin 2018. Realizimi televiziv dhe media partner Top Channel.

Fonia, ndriçimi do të realizohet nga staf gjerman. Karriget dhe platete e publikut do të jenë po nga Gjermania dhe do të jenë unike me ato çfarë përdoret në koncertet të artisteve botërore. Biletat janë në  shitje online www.myticket.al si dhe në sportele në Tiranë, Prishtinë, Gjakovë, Shkup, Tetovë, Kumanovë.
 
TCH: Ju i keni kushtuar tërë jetën tuaj muzikës dhe violinës. Çdo interpretimi i juaji ka emocionet, energjinë dhe fuqinë e punës së palodhur dhe me shumë pasion. A mund të na tregoni se çfarë është ajo që vazhdon të ju t’ju frymëzojë? Si lindi ideja e projektit “Albanian Soul”?
 
Shkëlzen Doli: Unë kam filluar të luaj në violinë që fëmijë, dhe asnjëherë nuk jam ndalur, nuk mund të jetoj pa muzikë ajo më jep, frymëzim, energji, dhe forcë. Mundohem që këtë energji t’a përçoj dhe tek publiku çdo herë. Duke qenë anëtar i Filarmonisë së Vjenës në përgjithësi koncertet që zhvillojmë me Filarmoninë e janë klasike. Me projektin “Albanian Soul” dua të bëj diçka krejtësisht të ndryshme për promovimin e muzikës shqiptare të të gjithë trevave dhe dua të jem sa më afër çdo bashkatdhetari tim . Në botë realizohen çdo vit shumë koncerte me orkestra filarmonike, dhe unë jam pjesë e shumë turneve dhe koncerteve, publiku mirëpret dhe duartroket muzikën klasike botërore, muzikën e Moxart, Strauss dhe shumë klasikëve të tjerë, por mirëpret dhe kompozitorë të tjerë jo klasikë, pra publiku kërkon sa më shumë muzikë të mirë dhe të veçantë. Ideja për të realizuar një projekt me bazë muzikën Shqiptare, që të kalojë kufinjtë, kam rreth 2 vite që e mendoj dhe që kam nisur të punoj. Qëllimi im është që muzika Shqiptare me larmishërinë e saj të promovohet kudo në botë. Nëse do t’a realizoj këtë mision timin kjo do të jetë dhe kënaqësia më e madhe, dhe arritja me e madhe e karrierës time.

TCH: A mund të na tregoni ndonjë moment nga karriera juaj që ju veçanërisht e cilësoni si më të veçantë apo i paharrueshëm?
 
Shkëlzen Doli: Nga karriera ime padyshim është kolazhi i realizuar me muzikën shqiptare në Koncertin e Vjenës në datë 1 Janar 2015. Jam shumë i lumtur që ai kolazh u duartrokit dhe vazhdon të mbetet në memorien e publikut Vjenez ende, si një ndër materialet më të mira të interpretuara ndër vite në koncertin më të famshëm në botë. Muzika Shqiptare është një thesar i çmuar dhe unë në çdo koncert që realizoj gjithmonë kam interpretuar pjesë nga muzika shqiptare.
 
TCH: Do të donim të dinim prej jush më shumë në lidhje me projektin
“Shkëlzen Doli – Albanian Soul” nëse do të mund të na tregonit ndonjë detaj?
 
Shkëlzen Doli: Mbrëmja do të nisë me muzikën Shqiptare, janë këngë që prej rreth gjysmë shekulli dëgjohen brez pas brezi, të cilat janë përpunuar për violinë dhe orkestër filarmonike pa humbur identitetin e tyre. Në pjesën e dytë do të jenë bashkë me mua dhe disa kolegë të filarmonisë së Vjenës, ku së bashku do të interpretojmë disa materiale muzikore klasike botërore, por edhe tango, flamengo. Pjesa e tretë do të jetë përsëri me muzikë Shqiptare, dhe do të jetë e veçantë pasi do të ketë muzikë nga të gjithë trevave shqiptare, muzikë qytetare autoktone shqiptare.
 
TCH: E veçantë është dhe orkestra që do ju shoqërojë, pasi do të jetë me rreth 70 instrumentistë në total që janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por do t’i bashkohen dhe instrumentistë nga Filarmonia e Vjenës siç dhe ju përmendët më lart. Si lindi kjo ide?

Shkëlzen Doli : “Albanian Soul”, ose shqip “Shpirti Shqiptar” padyshim që nuk mund të konceptohej pa bazë orkestër shqiptare. Që në idenë time fillestare ka qenë bashkimi i instrumentistëve nga të gjithë trevat shqipfolëse. Ku ka më mirë se të interpretojmë së bashku muzikën tonë të bukur. Jam shumë i lumtur që ne kemi kaq shumë instrumentistë të talentuar, madje dua të zbuloj pak nga projektet e mia për vitin 2018. Dëshira ime është të realizoj një turne botëror me instrumentistët shqiptar dhe me bazë muzikën shqiptare. Ideja ka nisur të kristalizohet në një projekt gjigand në disa shtete, kaq mund të zbuloj, pasi jemi ende në bisedime me disa arena të mëdha botërore.

TCH: Ka një interesim shumë nga publiku për të blerë bileta dhe për të shijuar këtë event elitar “live” në 23 shtator. Theksojmë që ky është i pari event që ka një shtrirje gjeografike së shitjes së biletave edhe jashtë kufijve të Shqipërisë pasi kërkesat janë të shumta nga Kosova, Maqedonia. Shumë kërkesa për të qenë pjesë e këtij eventi. Si ndiheni ju personalisht?

Shkëlzen Doli: Unë jam pafundësisht shumë mirënjohës publikut shqiptar për përkrahjen dhe mbështetjen që më ka dhënë dhe më japin vazhdimisht. Dua që mbrëmja e 23 Shtatorit të jetë mbresëlënëse dhe do jap maksimumin tim për secilin prej bashkëatdhetarëve të mi që do të jenë në sheshin “Skëndërbej”. Dua që së bashku të arrijmë të çojmë muzikën shqiptare autoktone në arenën ndërkombëtare. I falenderoj nga zemra të gjithë shqiptarët për mbështetjen dhe forcën që më japin.

Top Channel