Ekspozita e “Grabitqarit të bukurisë së natyrës”

31/08/2017 00:00

E kanë quajtur “Grabitqari i bukurisë së natyrës, sepse ai dinte të merrte më të bukurën nga natyra e ta ngurtësonte në kuadron e tij.

Në 100-vjetorin e lindjes së piktorit Qamil Grezda, në GKA prezantohen për herë të parë 55 vepra nga fondi i familjes, por edhe materiale jetësore të tij.

Foto origjinale, diploma studimi, kavaleti ku punonte, në një ekspozitë që ndjek hap pas hapi rrugëtimin e artistit në pikturë që nga vizatimet në letër e karbon, realizuar gjatë studimeve në Akademinë e Romës e deri te pikturat e peizazhet.

“Kjo ekspozitë vjen ndryshe nga të gjitha ekspozitat e tjera. Është me elementët jetësore të këtij piktori, përpos faktiti që ai prezantohet me vepra, prezantohet edhe në një aspekt tjetër të jetës së tij. Kemi disa elemente, fotografi origjinale, çdo gjë origjinale nga artisti, gjithçka që artisti ka krijuar me këto vlera, me këto mjete gjatë gjithë krijimtarisë së tij”, thotë kuratori Oltsen Gripshi.

I lindur në Gjakovë, Qamil Grezda u transferua në Tiranë në vitet ’20 për shkak të politikës diskriminuese serbo-sllave. Piktura e tij nuk u ekspozua kurrë në vendin e lindjes, një peng të cilin e mori me vete dhe pas ndarjes nga jeta në vitin 1992.

Sinkron Ermir Grezda, i biri i Qamil Grezdes
“Mbas Luftës së Kosovës unë kam kuptuar në detaje intimitetin fizik të ketij njeriu pse natë-ditë përfliste Gjakovën dhe Kosovën. Një pjesë e ekspozites është çuar në Kosovë në vitin 2002 . Do të ishte një ëndërr, shpresoj që të bëhet realitet në vitet e mëvonshme”, rrëfen i biri i piktorit, Ermir Grezda.

Ekspozita në nder të artistit mirëpret vizitorët e GKA deri në datën 10 shtator.

Top Channel