“Dua të të bëj të lumtur”

29/08/2017 00:00

“Dua të të bëj të lumtur”, programi kushtuar historive njerëzore së shpejti do të fillojë sezonin e dytë në ekranin e Top Channel. Së bashku me risitë që do t’i japin një koncept të ri. Në qendër të historive duket se do të jetë komunikimi.

“Po kërkojmë histori me emocione të forta. Dhe këto emocione të forta njerëzit i fitojnë nëpërmjet komunikimit më njëri-tjetrin më shumë se sa nëpërmjet dhuratave materiale që mund të ofrojë programi”, shprehet Arbana Osmani, autore/moderatore.

Për këtë sezon historitë do të shtohen brenda një puntate dhe rëndësi do të marrin historitë e bukura.

“Kemi menduar që jo domosdoshmërish të jenë në fokus njerëz që kanë vuajtjen parësore. Ne duam të sjellim akoma më shumë histori edhe të bukura. Do të kemi besoj mundësi që të qeshim më shumë seç kemi qarë vjet me ‘Dua të të bëj të lumtur’”, thotë Arbana Osmani.

Programi nuk e ka startin në shtator, por gjatë sezonit të dytë. Deri atëherë do të punohet për përzgjedhjen e historive më interesantë, prandaj edhe thirrja për këdo që është i interesuar të jetë pjesë e “Dua të të bëj të lumtur” është e hapur.

“Unë e di që të gjithë presin që programi të fillojë në tetor, por në fakt fillon në sezonin tjetër. Fillon në shkurt dhe na duhet një kohë relativisht e gjatë për të përzgjedhur të gjitha historitë. Jemi ende në atë fazë. Kështu që do t’ju lutesha të gjithë atyre që duhen të bëhen protagonistë, të gjithë atyre që duan të bëjnë dikë të lumtur, duan të bëhen vetë protagonistë, duan të pajtohen me dikë, duan t’i thonë dikujt “më fal”, ti thonë dikujt “faleminderit”, të na shkruajnë në adresën “[email protected]”, janë të gjithë të mirëpritur dhe ne mezi presim të lexojmë histori të pabesueshme”, shprehet Arbana Osmani.

Top Channel