Dita Europiane e Viktimave të Stalinizmit e Nazizmit është kujtuar në Muzeun Historik Kombëtar përmes një simpoziumi, ku u propozua që edhe për Shqipërinë, si një vend me kontekst historik jo vetëm shqiptar, por edhe rajonal e europian, që ka vuajtur pasojat e 50 viteve komunizëm, të përdoren të njëjtat politika kujtese, si ato të vendeve të tjera të Europës Qendrore e Lindore.

“Iu propozua të gjithë aktorëve të politikave të kujtesës, që të adaptojnë disa standarde europiane të këtyre politikave. Së pari të hapen ndaj këndvështrimeve të ndryshme, pra një ngjarje të gjykohet nga të gjitha palët që janë të përfshira. Së dyti të evitohen stereotipizimet, të mos ketë dënime kolektive morale, por të shikohen rast pas rasti. Të shikohen figurat historike në kontekstin individual, si qenie, jo si figura mitike, pra të hyhet thellë në analizën e tyre. Dhe së fundi të përdoren burime historike sa më serioze”, tha Genta Sulaj.

Sulaj tha se do të kërkohet nga Parlamenti shqiptar, që 23 gushti të renditet si një ndër ditët e fjongos së zezë, në kujtim të viktimave që kanë vuajtur regjimet totalitare.

“Kemi rënë dakord që t’i propozojmë Parlamentit shqiptar që këtë ditë ta vëmë si Ditë Kombëtare të Përkujtimit të Viktimave, qoftë të fashizmit, qoftë të komunizmit, pa dallim ngjyre, sepse diktaturat, sistemet totalitare janë njësoj dhe pasojat janë çnjerëzore”, tha më tej Sulaj.

Në kujtim të kësaj dite u çel edhe një ekspozitë në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.

Top Channel