Serbia tërheq diplomatët nga Shkupi

21/08/2017 00:00

Pa asnjë njoftim paraprak, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka tërhequr të gjithë stafin nga Ambasada e saj në Shkup, ndërsa autoritetet maqedonase nuk dinë ta thonë arsyen e këtij veprimi.

Misioni diplomatik i Beogradit kishte kërkuar përforcimin e sigurisë së objekteve të Ambasadës, gjë të cilën Ministria maqedonase e Rendit e kishte bërë.

Agjencia serbe e lajmeve “Beta” njoftoi se stafi i ambasadës është thirrur për konsultime urgjente në kryeqytetin serb. Ambasadorja Dushanka Divjak-Tomiç nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e largimit të personelit, por disa raporte në media lënë të kuptohet se shkak i incidentit është bërë Kosova.

Agjencia “Makfax” pretendon se Beogradi zyrtar ka pasur informacione që Maqedonia do të propozojë votimin për pranimin e Kosovës në UNESCO. Ndërsa “Radio Europa e Lirë” citon presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, të sqarojë se tërheqja e personelit u vendos pasi autoritetet përkatëse kanë paraqitur dëshmi për një veprim ofensiv të inteligjencës kundër institucioneve të Serbisë.

Serbia kishte marrëdhënie shumë të mira me pushtetin e kaluar në Maqedoni, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për ekzekutivin aktual. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç e ka theksuar më shumë se një herë këto muajt e fundit, se vendi i tij kishte gabuar me njohjen e fqinjit jugor sipas emrit kushtetues “Republika e Maqedonisë”, e jo referencës ndërkombëtare “FYROM”.

Një agjent i Shërbimit të Sigurimit serb ishte brenda ndërtesës së Parlamentit të Maqedonisë gjatë trazirave të 27 prillit, kur turma e protestuesve hyri me dhunë dhe rrezikoi jetët e deputetëve, duke i shkaktuar lëndime të rënda drejtuesit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Top Channel