AKR: Të tejkalohet ngërçi politik

19/08/2017 00:00

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Korab Sejdiu beson se në seancën e 24 gushtit do të përfundojë bllokada për formimin e qeverisë së re.

Në një prononcim për “Indeksonline”, deputeti i AKR-së tregon se ultimatumi i Behgjet Pacollit për gjetjen e një zgjidhjeje ishte thjesht për pajtim midis dy partive, LDK-së dhe Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Natyrisht që Pacolli e ka bërë në cilësinë e nxitjes së bashkëpunimit në mes të koalicionit tonë dhe Lëvizjes “Vetëvendosjes” me qëllim që të kemi unifikim të një shumice që ekziston në Parlament për të vijuar funksionalizimin e bashkëpunimit në Kuvend dhe më pas në Qeveri”, ka deklaruar ai.

Sejdiu hedh dyshime që koalicioni PAN mund edhe mos të marrë pjesë në seancën e ardhshme të Kuvendit.

“Nëse e shikojmë historinë e veprimit të PAN-it, ku ata vazhdimisht kanë premtuar se do të vijnë dhe do ta propozojnë kandidatin e tyre për kryeparlamentar, atëherë ka shumë pak bazë që ata do të bëjnë diçka pozitive me 24 gusht. Por, shpresojë se ata do të vijnë dhe vijnë me propozim e pastaj të procedohet tutje për konstituim të Kuvendit”, është shprehur ai.

Në fund, deputeti Sejdiu thotë se sipas aktgjykimit të 2014-ës  të Gjykatës Kushtetuese PAN-it i takon propozimi për kryetarin e ri të Kuvendit.

Top Channel