Bannon shpëton Trumpin. Sulmon ashpër ultranacionalistët e djathtë

17/08/2017 10:15

Në mesin e polemikave që ngjalli incidenti i së shtunës gjatë tubimit të nacionalistëve të bardhë në Charlottesville të Virxhinas, Donald Trump u përball me një rrebesh kritikash për komentet e tij se faji duhet kërkuar sa tek ata vet, ashtu edhe tek antiprotestuesit.

Por ndërhyrja e kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, që i sulmoi supremacistët duke i quajtur “kllounë”, e lehtëson presionin në Uashington.

Bannon, dikur drejtonte rrjetin informativ të ekstremit të djathtë “Breitbart News”, një kanal tejet i rëndësishëm për nacionalizmin, por edhe një ndihmesë e madhe për Trumpin dhe triumfin e tij në presidencialet e vitit 2016.

Deklarata e tij për “The American Prospect”, megjithatë dëshmonte një kthesë të fortë qëndrimi. “Etnonacionalizmi – tha Bannon, – është për humbësit”.

Pyetje të shumta rrethojnë të ardhmen e këshilltarit të lartë të Donald Trump, ndaj të cilit, presidenti refuzon të deklarojë nëse ka apo jo besim. Ka raporte se kreut të Shtëpisë së Bardhë i është kërkuar ta shkarkojë nga detyra këtë personazh kontrovers, që përmes rolit të tij ka shijuar qasjen të drejtpërdrejtë te presidenti.

Ndikimi i madh i Bannon është mundur të shihet në vendime kyçe, siç ishte ai i tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën. I pyetur këtë javë, gjatë një konference për shtyp mbi të ardhmen e Bannon, Trump u përgjigj shkurt: Epo do ta shohim!… Duke mos bërë kështu ndonjë koment tjetër.

“Etnonacionalizmi është një element periferik tashmë, – tha Bannon, duke ndërhyrë me kujdes në temën më të nxehtë të momentit. – Këta tipa janë thjesht një koleksion kllounësh”, u shpreh ai.

Bannon e ka distancuar edhe më parë veten nga ky fenomen, kur shpjegoi për “New York Times” se interesi i tij te nacionalizmi buronte nga dëshira për të frenuar efektet negative të globalizimit.

Top Channel