Për çfarë manipulojmë, për satirë, humor, glamor, propagandë politike? Të shumta janë arsyet. Pikërisht këtë ka dashur të sjellë edhe ekspozita “Manipulim” në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër.

Makineria e propogandës komuniste bëri që as fotografitë e Marubëve të mos u shpëtonin retushimit me qëllim censurën. Si në një foto tek Ballkoni i Bashkisë së Shkodrës, ku retushohen të gjitha personalitetet dhe mbetet vetëm diktatori që mban një fjalim.

“Rëndom do ta marrin vëmëndjen ato imazhe që janë të retushuara. Është imazhi spektakolar i diktatorit me rastin e rivarrimit të eshtrave të Çerçiz Topullit, e deri tek fshirja e Fishtës”, thotë Luçjan Bedeni, kurator dhe Drejtor i Muzeut Marubi.

Por manipulimi lind që me shpikjen e fotografisë dhe manipulimi i imazheve në Shqipëri fillon që në vitin 1860.

“Pikërisht këto imazhe satirike që na sjell Pietro Marubi prej 1860 janë vërtetë shumë të rëndësishmë dhe impresionuese, teksa bëjmë edhe një paralelizëm me historinë botërore të fotografisë”, shton Bedeni.

Përveç satirës, si fotografia e DR. Simini që e tregion atë njëherë si klient, pastaj si pacient, e më pas si doktor, një pjesë e mirë e fotografive janë manipuluar artistikisht me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës.

“Marubët përmes ngjyrave të ndryshme ndërhynë tek negativët në mënyrë që të sjellin një imazh sa më tepër të kuruar, pak a shumë ajo që sot bën Photoshop-i apo paketa e Adobe”, sqaron Luçjan Bedeni.

Top Channel