Teatri Eksperimental, një sukses. Londo: Çelësi është te strategjia

14/08/2017 00:00

Teksa institucionet e tjera kulturore kanë pësuar rënie, sipas INSTAT-it, Teari Kombëtar Eksperimental është institucioni kulturor që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve: plot 102 në vetëm 3 muaj, duke pasur edhe një rritje prej 10% të numrit të spektatorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas drejtuesit të këtij institucioni, hartimi i politikave është baza mbi të cilën mbështetet suksesi i këtij teatri.

“Natyrisht kjo nuk është e lehtë, janë 350 shfaqje. Ne marrim më pak se 3% të fondit vjetor që marrin 12 teatrot në Shqipëri dhe bëjmë gati 60% të repertorit. Çelësi i suksesit është gjithmonë strategjia, politikat e zhdërvjellta e të mençura mbi këtë strategji, sidomos zgjedhja me kujdes e njerëzve”, tha Kiço Londo, drejtor Teatri Kombëtar Eksperimental.

Përzgjedhja e emrave të njohur, por edhe afrimi i artistëve të rinj ka bërë që frekuentimi i këtij teatri të jetë i lartë.

“Është pjesë e politikës sonë, gërshetimi i komedisë me dramën, i muzikalit. Patjetër që janë elementë që ndikojnë shumë në frekuentimin e teatrit, publiciteti, emrat e aktorëve ndikojnë shumë, rrjetet sociale janë një tjetër element që ne kemi përdorur”, tha më tej Kiço Londo.

Edhe gjatë ditëve të gushtit, Teatri Eksperimental do të nisë punën për premierën e re “Ëndrra e një nate vere”, një shfaqje ambicioze nga Shakespeare, që pritet të çelë sezonin.

Top Channel