Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë faktmbledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.

Bashkëbiseduesit e vunë theksin edhe tek vizita në Malin e Zi të zëvendës presidentit amerikan Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Nga ana e tij, presidenti Meta nënvizoi se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit, ndaj dhe bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për një të ardhme të sigurtë.

Pjesë e takimeve të senatorëve amerikanë ishin edhe zyrtarë të lartë demokratë. Zyra e selisë së Partisë Demokratike njofton se në takim, nënkryetari Edi Paloka e quajti këtë vizitë dëshmi të mbështetjejes dhe interesit të SHBA ndaj krizës që po kalon vendi.

Top Channel