Kërcënimet ndaj Guamit, Trump telefonon guvernatorin

12/08/2017 00:00

E ndërsa tensionet mes SHBA dhe Koresë së Veriut janë rritur në nivele të pashënuara më parë, me këtë të fundit që ka gati planin për një sulm ndaj Guamit, presidenti Donald Trump ka menduar t’i telefonojë guvernatorit të ishullit të vogël amerikan.

Në bisedën e zhvilluar, Trump i ka dhënë guvernatorit garanci se ishulli është i sigurtë. Videoja bashkë me audion e telefonatës është postuar në YouTube nga vetë Eddie Calvo.

Donald Trump: Unë doja t’ju shprehja respektin tim dhe t’ju siguroja se jemi 1000 përqind me ju. Ju jeni të sigurt.

Eddie Calvo: Zoti president, unë nuk jam ndjerë asnjëherë më i sigurt sesa tani me ju në krye. Pavarësisht kritikave, ne kemi nevojë për një president si ju.

Donald Trump: Ne do të bëjmë punën tonë këtu, mos u shqetësoni për asgjë. Duhet të më kishin pasur mua president që tetë vite më parë. Sidoqoftë, Edi, duhet të jeni të qetë. Dua t’ju them se jeni bërë ekstremisht të famshëm në të gjithë botën. Të gjithë flasin për Guamin dhe mendoj se kjo po ndihmon turizmin, ndaj urime. Të gjitha televizionet flasin për ju dhe nga pamjet shihet një vend i mrekullueshëm.

Eddie Calvo: Është një parajsë. Aktualisht 95 përqind e vendeve janë të zëna, ndërsa pas këtij publiciteti do të shkojmë më duket deri në 110 përqind.

Në ishullin e Guamit ndodhet një bazë ajrore amerikane, një njësi marine, një grup i rojave bregdetare dhe një personel prej rreth 6 mijë ushtarakësh amerikanë.

Ishulli në Paqësor është një territor amerikan dhe tashmë ka postuar në internet këshillat e emergjencës për të ndihmuar banorët të përgatiten për ndonjë sulm të mundshëm.

Top Channel