Imagjinoni një “Facebook” në fillimvitet ’40. Ai nuk do të ishte me mesazhe, foto, apo vizatime. Në një kohë kur bota ziente nga lufta, mëyra më e efektshme e komunikimit për mesazhe ishte trakti. Me përmbajtje edukative, fetare, tregtare, apo politike.

Kështu ka ndodhur edhe në Shqipërinë e atyre viteve, mes syresh ka edhe tema sociale. Si një drejtuar tregtarëve në Korçë, ku gjermanët u kërkojnë të mos i rrisin çmimet.

“Në fillim dinim që kishte vetëm trakte të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të partizanëve që i drejtoheshin popullit me një gjuhë për shpëtimin nga okupatori. Mes tyre ishte edhe Balli Kombëtar, që ne kemi pasur një informacion, por edhe ai ishte gjysmak. Trakte kanë hedhur gjermanët, austriakët, italianët, grekët dhe jugosllavët”, tha Klodian Luca, kurator i ekspozitës.

Por një fakt interesant nga këto trakte është që gjermanët nuk ishin ata që shfaqen në filmat e propagandës. Por shpeshherë kishin marrëveshje dhe leje për të kaluar në qytetet tona.

“Një dokument është interesant, ku Enveri u drejtohet qyteteve të Lushnjës dhe Beratit dhe thotë që në këto dy qytete ka mësuar se hyjnë gjermanët edhe me leje. Ne nuk kemi dhënë leje, ndërkohë ata mund të kenë pasur një marrëveshje. Kjo tregon që gjermanët, kudo ku hynin u thoshin njerëzve që kishin marrë leje për të hyrë, ose nuk kishin hyrë si pushtues, thjesht për rrugë kalimi apo për të mbyllur punët e tyre”, tha Eros Hoxha, koleksionist.

Ideja e ekspozitës “Trakt”, të hapur për publikun, vjen në Tirane dhe është ndër të tjera edhe krahasimi i asaj kohe me të sotmen, ku simbolikisht kemi aq shumë dritare të hapura dhe nuk nxjerrim dot një zog jashtë, në kuptimin e komunikimit të munguar.

Top Channel