Tarifat e përmbarimit, denoncohen “teknikët”;  Bankat i drejtohen FMN e BB

04/08/2017 00:00

Sipas shoqatës së bankave vendimi i ministrit të Drejtësisë dhe asaj të Financave që dyfishon tarifat e shërbimit përmbarimor është abuziv, joprofesional dhe buron nga motive të dyshimta.

Top Channel publikon komentet e forta që shoqata e bankave i drejton bankës botërore dhe fondit monetar ndërkombëtar.

“Tarifat e reja të larta janë abuzive dhe subjektive për shkak se nuk bazohen në asnjë analizë profesionale”, thuhet në komentet e bankave.

Pagesa e përmbaruesve përbëhet nga dy tarifa. E para është tarifa fikse. Ajo  i  parapaguhet përmbaruesit ende pa u kryer shërbimi dhe është e pakthyeshme. Ndërsa tarifa e dytë është e lidhur me suksesin e ekzekutimit të pengut. Përmes një udhëzimi të beftë, në datën 26 qershor, pra vetëm një ditë pas zgjedhjeve, dy ministrat teknikë të opozitës kanë dyfishuar tarifën e pakthyeshme duke e çuar deri në 10 për qind të vlerës së pronës. Sipas bankave kjo përkeqëson situatën, pasi duke fituar pagesa të majme paraprakisht shoqëritë e përmbarimit nuk kanë më motiv të ekzekutojnë pronat e vëna peng.

“Udhëzimi është i papranueshëm dhe tërësisht në kundërshtim me frymën e ligjit dhe përpjekjet e qeverisë për të ulur kreditë e këqija”, thuhet në komentet e bankave.

Por udhëzimi nuk prek vetëm bankat. Sipas ligjit, shpenzimet përmbarimore i ngarkohen gjithmonë debitorit. Me tarifat e reja, qytetarët apo bizneset që nuk arrijnë të shlyejnë borxhet, veç humbjes së pronës do të paguajnë shuma të majme edhe për përmbaruesit. Por më i dëmtuari është vetë shteti, si debitori më i madh. Të gjitha institucionet publike që nuk shlyejnë borxhet ne afat, dhe çohen në përmbarim do të ngarkohen me pagesa të larta, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve.

“Tarifat e reja krijojnë një barrë shtesë mbi sektorin bankar, komunitetin e biznesit dhe të gjithë qytetarët”, thuhet në komentet e bankave.

Top Channel