Zhduket pas arrestit, i akuzuari kalon kufirin lirisht

19/07/2017 00:00

Vendosja e një mase shtrënguese sigurie arrest shtëpie nga gjykata nuk e ka ndaluar aspak një të ri nga Tirana, që jo vetëm të thyejë këtë masë, por edhe të largohet si çdo qytetar i lirë jashtë vendit duke u regjistruar edhe në sistemin TIMS.

Këto fakte u bënë të ditura gjatë gjykimit të rastit në Gjykatën e Tiranës. Sipas shqyrtimit gjyqësor, Robert Fani u akuzua për vjedhje me dhunë dhe gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë arrest shtëpie.

Në fund, Gjykata e Apelit e dënon atë me 7 vjet burgim dhe kur oficerët e policisë gjyqësore shkojnë në banesë për ta shoqëruar në qeli nuk e kanë gjetur aty.

Pas nisjes së procedurave të hetimit për veprën penale të largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit rezultoi se Fani kishte dalë nga territori shqiptar me pasaportën e tij si gjithë të tjerët, madje policia kufitare e kishte regjistruar normalisht daljen e tij nga territori i vendit, ndonëse ndaj tij kishte masë sigurimi personal.

Këto fakte i ka vërtetuar sistemi TIMS, sipas të cilit Fani ka dalë nga vendi dhe nuk më hyrje. Për këtë veprim gjykata i ka shtuar atij edhe një dënim të dytë me 1 vit burgim, ndërsa Prokuroria ka kërkuar një raport nga policia, që kishte për detyrë të verifikonte zbatimin e vendimit të gjykatës dhe ruajtjen e të akuzuarit.

Top Channel