“Peshkohet” në Facebook. Francezit i vjedhin shtëpinë, ku i hynë si “miq”

19/07/2017 00:00

E njohu në Facebook, e ftoi për një gotë verë dhe më pas përfundoi në polici për ta denoncuar mikun e tij se e kishte vjedhur.

Kjo është historia e një shtetasi francez që jeton e punon në Tirane.

Për këtë ngjarje të dyshuar se ka ndodhur në dhjetor 2016, Prokuroria mbylli hetimet për dy të rinj nga kryeqyteti, që akuzohen për vjedhje në bashkëpunim të një aparati telefon dhe të një laptopi.

Prokurori thotë se shtetasi shqiptar i prezantuar si instruktor në një palestër, pas njohjes përmes rrjeteve sociale me shtetasin francez, i ka prezantuar atij edhe shokun e tij.

Por, gjatë kohës që të tre ata po konsumonin pije alkoolike në banesë, i zoti i shtëpisë ka kuptuar se i mungonin disa sende personale.

Pas kallëzimit, i dyshuari i tha Prokurorit se kishte shkuar në banesën e francezit për të kryer marrëdhënie homoseksuale, pasi kishte njërin nga fëmijët sëmurë dhe kishte nevojë për para.

I dyshuari këmbëngul se nuk ka vjedhur asgjë gjatë këtij takimi, ndërkohë që shoku i ftuar në takim pretendon se ishte dehur me verë dhe më pas nuk mbante mend sesi kishte përfunduar aparati celular i francezit në xhepin e tij.

Të dy burrat mbahen në paraburgim derisa gjykata të shprehet për akuzën që rëndon ndaj tyre.

Top Channel