Jorgo “bëhet” Gjergj. Athina i heq Goros shtetësinë greke

19/07/2017 00:00

Himara, qyteti i shndërruar në mollë sherri mes Shqipërisë dhe Greqisë në jo pak raste, tashmë drejtohet nga një kryetar bashkie tërësisht shqiptar.

Athina zyrtare i hoqi nënshtetësinë greke Jorgo Goros, me argumentin se ka vepruar kundër interesave të Greqisë.

Vetë Goro refuzon të flasë e të komentojë këtë zhvillim, por dega e OMONIA-s në Himarë dhe kryetar i saj Alfred Beleri, një nga kundërshtarët më të ashpër të Goros, nuk hezitojnë të flasin e të heqin çdo hije dyshimi që i lidh ata me këtë ngjarje.

“Në asnjë mënyrë OMONIA ose PBDNJ, ose të gjithë ata që merren me mbrojtjen e pronave, kulturës dhe traditës së Himarës, nuk është ankimuar. Është kundra logjikës sonë dhe që nuk merret me porosi. Mund ta bësh por s’ka për ta marrë njeri parasysh”, thotë Beleri.

Por edhe pse Beleri heq përgjegjësinë nga supet e OMONIA-s, sërish ai nuk kursen kritikat për Goron dhe planin urbanistik të Himarës.

“Ka qëllime të tjera që kanë të bëjnë me ndryshimin e raporteve të popullsisë që banon në qendër të qytetit, të cilët kanë kombësi greke. Duke ngritur pallate shumëkatëshe, siç janë bërë deri tani, do të vijnë edhe qytetarë të tjerë që nuk i përkasin kombësisë greke. Pra, do të bëhet një tjetërsim”, thotë Beleri.

Top Channel