Largimi i “teknikëve”, Mandija: Do të respektoj vullnetin politik

17/07/2017 00:00

Largimi i Zv.Kryeministres dhe ministrave teknikë të propozuar nga Partia Demokratike për garantimin e procesit zgjedhor të 25 qershorit, duket se do të varet po nga partia që i propozoi ata në bazë të marrëveshjes Rama-Basha, të pakën nëse Kryeministri nuk vendos t’i shkarkojë më parë.

Në Top Story me Sokol Ballën, zv.Kryeministrja Ledina Mandija tha se si pjesë e një vullneti politik, ajo do ta respektojë deri në fund atë vullnet politik.

“Jam zv.Kryeministre e propozuar nga opozita. Pra është një vullnet politik dhe unë do të respektoj deri në fund vullnetin politik të forcës që më propozoi”, deklaroi zv.Kryeministrja.

Mandija tha se është çështje ditësh që të dalë raporti në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve nga task forca e drejtuar prej saj. Ajo tha se ministritë kanë përfunduar me hartimin e raporteve të tyre për përfshirjen e administratës në zgjedhje.

“Për çështje ditësh del raporti. Të gjitha raportët e monitorimit janë mbi bazën e vetëdeklarimit të ministrive dhe më vjen çudi që asnjë ministri tjetër nuk ka raste të përfshirjes së administratës në procesin zgjedhor, përveç rasteve të raportuara nga ministrat teknikë”,tha ajo.

Por a funksionoi ky model?

“Detyra jonë tani është të mbarojmë raportin dhe të bëjmë një transparencë me forcat politike që na votëbesuan dhe u dhanë mandat, për të kuptuar nëse ky model funksionoi, apo dështoi dhe për më tepër si duhet të funksionojë në të ardhmen, sepse duhet të ketë një mekanizëm monitorimi në të ardhmen. Një mekanizëm monitorimi duhet të ekzistojë, në qeverisje, apo një mekanizëm tjetër, kjo u takon ekspertëve që ta vendosin në të ardhmen”, u përgjigj zv.Kryeministrja.

Duke iu rikthyer raportit, Mandija tha se ai është produkti me të dhëna konkrete që do të nevojiten për të ardhmen në përmirësimin sa i përket planit të reformave, qoftë asaj zgjedhje, qoftë asaj në administratë.

Zv.Kryeministrja foli edhe për përplasjet. Ajo dha versionin e saj në lidhje me përplasjen për blerjen e energjisë elektrike. Mandija tha se nuk kishte firmosur fillimisht për shkak se materiali nuk kishte asnjë referencë. Ajo mohoi që VKM për blerjen e energjisë është vonuar nga ministrat teknikë.

Top Channel