Konfiskimi i selisë diplomatike, Rusia rrit presionin

17/07/2017 00:00

Rusia ka rritur presionin për kërkesat e saj që Shtetet e Bashkuara t’i rikthejnë aksesin në dy komplekse diplomatike të sekuestruara në Amerikë vitin e kaluar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se është e papranueshme të vendosen parakushte për kthimin e pronave dhe ka theksuar se, lidhur me këtë çështje nuk ka asgjë për të diskutuar mes Uashingtonit dhe Moskës.

“Ne e konsiderojmë si tërësisht të papranueshme vendosjen e kushteve për kthimin e pronave diplomatike dhe vlerësojmë se ato duhet të kthehen pa kritere dhe pa qenë nevoja për bisedime”, ka thënë Peskov.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara dëbuan nga vendi 35 diplomatë rusë dhe mbyllën kompleksin ku ata ishin sistemuar nën dyshimin se i kishin përdorur për spiunazh dhe për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili e ka cilësuar veprimin e administratës amerikane si “një vjedhje në dritën e diellit”.

“Si mund të konfiskoni një pronë që është e mbrojtur nga një dokument dypalësh ndërqeveritar dhe që për ta kthyer veproni me parimin ‘çfarë është e imja është e imja dhe çfarë është e juaja e negociojmë”, ka thënë Lavrov gjatë një vizite në Bjellorusi.

Ndërkohë, çështja pritet të jetë pjesë e bisedimeve mes nënsekretarit të Shtetit, Thomas Shanon dhe zëvendës ministrit të Jashtëm rus Sergei Ryabkov, i cili po viziton Uashingtonin.

Top Channel