Iran, hetohet vëllai i Presidentit

17/07/2017 00:00

Vëllai i Presidentit iranian, Hasan Rouhani u shtrua me urgjencë në spital pasi u shfaq para gjykatës në Teheran. Autoritetet e drejtësisë lajmëruan se Hossein Fereydoun u arrestua një ditë më parë me dyshimin për parregullësi financiare.

Arrestimi i tij vjen ndërsa tensioni politik mes presidentit dhe gjyqësorit ka arritur kulmin dhe vetëm pak javë para se Rouhani të betohet për një mandat të dytë pasi fitoi bindshëm zgjedhjet në maj.

Në përballjen më të fundit, gjyqësori akuzoi presidentin se vetëm për të fituar vota premtoi lirimin nga burgu të disa politikanëve. Për çështjen e Fereydoun, gjykata në Teheran tha se vëllai i presidentit po hetohet bashkë me disa të tjerë, por nuk dha detaje se prej sa kohësh ishte person me interes për autoritetet.

Fereydoun është diplomat veteran iranian dhe luajti një rol të rëndësishëm në në bisedimet që sollën marrëveshjen historike bërthamore me fuqitë e mëdha, përfshirë SHBA.

Si pjesë e marrëveshjes, Irani ra dakord të reduktojë programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Hossein Fereydoun ka punuar si këshilltar i afërt i vëllait të tij president, i cili konsiderohet si i moderuar nga kombet perëndimore. Presidenti Rouhani dikur kishte të njëjtin mbiemër me vëllain e tij, por e ndërroi atë në vitet ‘70.

Top Channel