Shërbimi publik, Rama: Vini notën tuaj

15/07/2017 00:00

Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën “Nota Juaj”, që do të jetë vlerësimi qytetar për shërbimin e marrë.

“Një ndër mekanizmat e rinj të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, që po studiojmë të fusim në funksionim me krijimin e qeverisë së re, do të jetë mekanizmi i notës për shërbimin e marrë. Çdo institucion, zyrë, sportel, që u shërben qytetarëve do të jetë i gjykueshëm nga çdo qytetar/e që do të dëshirojë të vendosë notën e tij/saj nga 1-10 pas marrjes së shërbimit”, thotë Rama.

Sipas tij, nga notat e qytetarëve do të gjenerohet periodikisht një notë mesatare, e cila do të bëhet publike.

“Ky vlerësim do të mundësojë informimin në kohë reale të publikut dhe të qeverisë, për nivelin e pëlqyeshmërisë së shërbimit në çdo zyrë a sportel të shtetit në rang republike”, vijon Rama.

Gjithashtu, përmes këtij vlerësimi do të dalë edhe një koefiçient për vlerësimin zyrtar të çdo drejtuesi institucioni shërbimesh, në nivel qendror apo vendor.

“Mbi bazën e këtij koefiçienti do të ngrihet edhe një masash administrative, që nga shpërblimet e fundvitit për ata që shkëlqejnë, tek penalizimet përkatëse për ata që nuk e kalojnë provimin e publikut”, shton Rama.

Top Channel